Kusari-Lila: S’kemi Njësi Speciale vetëm sa të jetë aty, mbetet në dispozicion kudo ku ka kërcënim të sigurisë

(Lajm i përditësuar)


Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës do të qëndrojë në secilën pjesë të Kosovës në situatat kur ka kërcënim të sigurisë.

“Policia, Njësia Speciale do të jetë aty dhe mbetet në pozicionet qoftë në veri ose në jug apo kudo në Kosovë në situatat kur ka kërcënim të sigurisë apo kur ka nevojë për prezencën e tyre. Ne nuk e kemi Njësinë Speciale vetëm sa të jenë aty, por mbetet në pozicione kur ka shkallë të rrezikshmërisë”, ka thënë ajo.

Ajo po ashtu ka njoftuar se këtë javë do të mbahen tri seanca plenare.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Kusari-Lila ka thënë se seanca e parë do të mbahet të mërkurën nga ora 12:00 dhe do t’i trajtojë pikat e mbetura të disa seancave të mëparshme, që kanë mbetur të papërfunduara. Ndërsa, seanca e dytë dhe e treta do të mbahen të enjten, ku do të miratohen Projektligji për reformën zgjedhore dhe katër marrëveshje ndërkombëtare.

“U dakordua sot që për këtë javë të jenë dy seanca të caktuara plenare, e para është më 7 qershor, ditën e mërkurë nga ora 12:00, që do të trajtojë pikat e mbetura të seancave të datës 23 shkurt dhe 3 maj të vitit 2023, gjithashtu edhe pikat e papërfunduara të seancave të 23 marsit, 24 dhe 25 majit, si dhe 6 dhe 7 prillit. Ndërsa të enjten, më 8 qershor do të mbahen dy seanca të reja, pika e parë do të jetë miratimi i projektligjit për reformën zgjedhore. Pas asaj hapet një seancë e re që ka katër marrëveshje ndërkombëtare, gjithashtu shqyrton projektdeklaratën për antisemitizmin dhe kërkesa dhe propozime të tjera që janë pjesë e rendit të ditës. Parashihet që të ketë edhe një seancë tjetër nëse ka dakordim të grupeve që Projektligji për reformën zgjedhore të shqyrtohet në dy lexime brenda një dite, që të dyja të përfundohen në ditën e enjte”, ka thënë ajo.


Tahiri: Zgjedhjet në veri ishin eksperiment i Kurtit

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se zgjedhjet në veri ishin eksperiment i kryeministrit Albin Kurti, që siç tha ai të hënën, s’u arrit qëllimi.

Ai u shpreh pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se Lista Serbe e as presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, s’mund të kushtëzojë Kosovën “pasi ne kemi shtet, institucione e parlament”.

“Lista Serbe nuk është në pozicion të kushtëzojë Kosovën, e as Vuçiqi. Ne kemi shtet, institucione e parlament…Ne si Aleancë kemi qenë tepërt të sinqertë me këtë Qeveri. Jemi të vetmit që kemi dalë e kemi thënë z.kryeministër mos hy në zgjedhje se po hyn në një eksperiment që nuk mund t’i dalësh në krye. Ndodhi ajo që u tha”, shtoi ai.

Sipas Tahirit, mbajtja e serishme e zgjedhjeve në komunat veriore do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës, ndërsa theksoi se “mësimi i nxjerr nga ky proces ishte që në temat për sovranitet, duhet të ketë komunikim serioz”.

Për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, deputeti i partisë opozitare tha se procesi po ecën dhe pret të ketë diskutime me partitë e tjera të opozitës.

Tahiri shtoi që në mbledhjen e së hënës në Kryesi janë caktuar dy seanca: njëra të mërkurën, ku do të vazhdojnë pikat e mbetura dhe tjetra seancë e re të enjte.

Ai tha që kanë iniciuar diskutim për rishikimin e buxhetit që lidhet me të hyrat vetjake.

“Është me rëndësi që Ligji për Zgjedhjet do të vjen në Kuvend dhe do të trajtohet të enjten, e interpelanca me ministrin e Financave që ndërlidhet me koeficientin për zyrtarët publikë, rritjen e tij, me një amandamentim. Dislokimi i mjeteve që janë të bllokuara për projekte kapitale. Ende s’kemi një datë për interpleancë, por besoj se gjatë ditëve do të na njoftojnë”.


PDK akuzon Kurtin se krijojë kaos në veri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka akuzuar kryeministrin, Albin Kurti se ka krijuar kaos në veri të vendit.

Ai i kërkoi Kurtit që për çfarëdo zgjidhje atje të ketë një bashkërendim me aleatët ndërkombëtar dhe veçmas ShBA-në.

“Është e rëndësishme që çdo hap që do të ndërmerret si për organizim të zgjedhjeve të reja, të jetë në përputhje me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”, tha ai, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ku u caktuan për të merkurën vazhdimi i seancës, si dhe dy seanca plenare të enjten.

Back to top button