Kusari-Lila uron fituesit rezultatit preliminar
Edhe Kusari-Lila e konfirmoi se si Alternativa nuk do të bashkëpunojë me ndonjë koalicion tjetër
Pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve palamentare që u mbajten dje më 11 qershor, themeluesja e parties “Alternativa”, ka falënderuar qytetarët siç thotë ajo për kulturën dhe maturinë e treguar në procesin zgjedhor.
“Në veçanti, ju faleminderit të gjithë votuesve të Alternativës dhe koalicionit LDK-AKR-Alternativa-LD, për besimin e treguar në fushatën 10 ditore. Ishte një prej kënaqësive të këtij procesi demokratik, takimi me të gjithë Ju, besimi i treguar nga ana juaj, entuziazmi dhe gëzimi i shprehur për shpresën e re”, ka thënë Kusari-Lila përmes një shkrimi në “Facebook”.
Mimoza Kusari- Lila, uroi suksese fituesve të rezultatit preliminar. “Në emrin tim dhe në emër të subjektit që drejtoj, urime për fituesit e rezultatit preliminar dhe suksese në procesin e formimit të institucioneve demokratike të vendit tone”, ka shkruar ajo më tutje.
Megjithatë, Kusari-Lila e konfirmoi se Alternativa, vazhdon të jetë pjesë e koalicionit parazgjedhor dhe tha se në asnjë mënyrë nuk e konsideron ndonjë formë të bashkëpunimit me koalicionin tjetër.
Deri tash janë numëruar 91,16 për qind e votave dhe rezultati deritanishëm tregon se po prinë koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) me 34.60%, Lëvizja Vetëvendosje radhitet e dyta me 26.73% ndërsa, koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 25.84% radhitet në vendin e tretë./21Media