Kusari Lila vizitoi Kishën e Shën Mhillit

“Antoni dhe Dritoni ishin dy nga bijtë më të mirë të Gjakovës, andaj sot lutemi që shpirtrat e tyre të prehen në paqe dhe qetësi, ashtu siç edhe ishin të qetë dhe të dashur në jetën e tyre”

Me rastin e Festës së Pashkëve, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, së bashku me bashkëpunëtorë, ka vizituar Kishën e Shën Mhillit në Doblibare, si dhe familjen Gjoni, e cila para disa muajsh humbi tragjikisht dy djemtë, Antonin dhe Dritonin.

Me këtë rast, kryetarja Kusari Lila ka uruar nga afër Don Albert Jakaj dhe përfaqësuesit e fshatit Doblibare për Festën e Pashkëve, duke dëshiruar begati dhe ditë më të mira për gjithë besimtarët Krishterë.

Në vizitën te familja Gjoni, kryetarja Kusari Lila ka shprehur edhe një herë ngushëllimet e sinqerta për prindërit, motrat dhe vëllezërit e Antonit dhe Dritonit.

“Kam ardhur sot këtu, që në prag të Festës së Pashkëve, të qëndroj bashkë me ju për t’ju treguar se dhimbja e juaj është edhe dhimbja jonë. Antoni dhe Dritoni ishin dy nga bijtë më të mirë të Gjakovës, andaj sot lutemi që shpirtrat e tyre të prehen në paqe dhe qetësi, ashtu siç edhe ishin të qetë dhe të dashur në jetën e tyre”, ka thënë ndër të tjera kryetarja Mimoza Kusari Lila.

Nga ana tjetër, edhe prindërit e Antonit dhe Dritonit, kanë falënderuar kryetaren që në festën e Pashkëve është kujdesur të ndaj kohën me ta dhe dhembjen e tyre, njofton Zyra për Informim e Komunës së Gjakovës.

Back to top button