Kusari: S’ka argument që mund të përdoret për parandalimin e hapjes së Urës së Ibrit

Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusarit ka vlerësuar se nuk mund të gjendet argument që do të mund të përdorej për parandalimin e hapjes së Urës së Ibrit.
“Po besoj se në asnjë argumentim nuk mund të gjendet një kauzë e mirëfilltë për parandalimin e hapjes së urës, flasim për lëvizjen e lirë dhe domosdoshmërinë e normalizimit të jetës në atë pjesë së Kosovës. Ura ka mbetur si sinonim i bllokadës dhe si sinonim i një ndarje që është pretenduar të bëhet shumë vite më parë”, tha Kusari.
Mundësia e hapjes së Urës së Ibrit për trafik ka disa muaj që po përflitet. Mirëpo, kjo gjë është kundërshtuar vazhdimisht nga Perëndimi.
BE-ja madje ka thënë se kjo çështje duhet të futet si pjesë e dialogut të zhvilluar në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Lidhur më këtë Zyra e Kryeministrit ka thënë se Ura duhet të hapet, dhe se është në shërbim të të gjithëve, dhe s’është kundër askujt.