Kush e bleu trofeun e fituesve të Eurovisionit?

Orkestra ukrainase Kalush, e cila fitoi Konkursin e Këngës – Eurovizion në fillim të këtij muaji, ka mbledhur 900,000 dollarë (836,000 €) për ushtrinë e vendit të tyre duke shitur trofeun që iu dha në Torino.
Trofeu, një mikrofon i madh kristal me logon e Eurovizionit mbi të, përfundoi duke u blerë nga Whitebit, një kompani e specializuar në tregtimin e Bitcoin, gjatë një ankandi live në Facebook.
“Ju djema jeni të mrekullueshëm!”, grupi shkroi pasi ankandi kishte përfunduar.
Grupi tha në Instagram se paratë do t’i dhurohen fondacionit Prytula, i cili ndihmon ushtrinë ukrainase, me fondet që do të përdoren për të blerë një sistem ajror pa pilot PD-2, duke përfshirë tre drone dhe një stacion kontrolli tokësor.
Të dielën grupi u shfaq gjithashtu në një koncert bamirësie të mbajtur në Portën e Brandenburgut të Berlinit, me anëtarin e grupit Oleh Psiuk që u bëri thirrje njerëzve që të mos mësohen me luftën.
“Unë mendoj se duhet të jetë gjithmonë në faqet e para derisa të vijë paqja”, tha ai.
Mijëra kanë vdekur dhe miliona janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i konfliktit më 24 shkurt.
Të ardhurat nga koncerti i Berlinit do të shkojnë për kujdesin mjekësor dhe furnizimet për spitalet në dymbëdhjetë rajone të Ukrainës, njoftoi ambasada e Ukrainës në Gjermani./21Media

Back to top button