Kaloni te përmbajtja kryesore

Kush është burim i rritjes ekonomike të vitit 2021 sipas Hotit?

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit, Albin Kurti rreth rritjes ekonomike të vitit 2021.
Sot Kurti gjatë një konference për media tha se ekonomia e Kosovës asnjëherë nuk ka përjetuar një rritje sikurse sivjet, rreth 10 për qind. Ai tha se aktiviteti ekonomik është shtuar për afër 30 për qind, eksportet janë rritur mbi 60 për qind, e po ashtu janë rritur edhe të hyrat buxhetore për 34 për qind.
Lidhur me këtë ka reaguar Hoti duke thënë se janë tre faktorë që kanë mundësuar tejkalimin e shpejtë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe kthimin e ekonomisë së Kosovës në trajektoren e saj të rritjes ekonomike, e cila trajektore, sipas tij, zanafillën e ka në pakot fiskale 1 dhe 2 të viteve 2014-2017.
Të tre faktorët që lidhen me zhvillimet në vitin 2020 sipas Hotit janë: Pakot e rimëkëmbjes ekonomike (përfshirë tërheqjen e kursimeve nga Trusti Pensional) që kanë mundësuar të futen në ekonomi rreth 700 milionë euro, koordinimi i Qeverisë dhe Bankës Qëndrore gjatë vitit 2020 për ri-programim të kredive të bizneseve dhe qytetarëve për të shtyrë pagesën e interesit dhe kryegjësë për disa muaj, si dhe dërgesat e diasporës gjatë vitit 2020 që kanë arritur nivele rekorde.
“Dy faktorët e parë janë rezultat i veprimeve qeveritare dhe institucionale, ndërsa i treti lidhet me natyrën altruiste të diasporës tonë për të ndihmuar të afërmit në Kosovë. Këto veprime kanë mundësuar që kriza të tejkalohet qysh në tremujorin e parë të vitit 2021 dhe t’i kthehemi rritjes ekonomike solide gjatë gjithë këtij viti. Ekonomistët e mirëfilltë duhet të gjurmojnë lidhjet shkak-pasojë, e jo të interpretojnë të dhënat shumë përciptas duke e shtrembëruar të vërtetën me apo pa qëllim”, ka shkruar Hoti në Facebook./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button