Kush i ka meritat për marrëveshjen me MCC-në?!
Kosova e ka nënshkruar një marrëveshje në vlerë 236 milionë eurosh për transformimin e sektorit të energjisë, me MCC-në Arritja e kësaj marrëveshje ka ngjallur reagime nga opozita, ndonëse u përkrah për t’u ratifikuar në Kuvend. Meritat iu atribuan, prej Atifete Jahjagës, Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Ramush Haradinajt.
Abelard Tahiri nga PDK tha se negociatat për përfshirje të Kosovës në grantet e MCC-së ka nisur në vitin 2014.
“Ky projekt në Republikën e Kosovës është tash e 7 vite. Negociatat për këtë projekt i kanë fillu ish-Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaci. Është finalizu për herë të parë në vitin 2017 me nënshkrimin e parë të këtij projekti, pra nga Presidenti Thaci, në Kongresin Amerikan”, ka thënë Tahiri sot në Kuvend.
Kurse, Avdullah Hoti nga LDK meritat për këtë marrëveshje ia atribuoi ish- presidentes, Atifete Jahjaga si dhe Qeverisë Mustafa.
“Do t’i them disa të vërteta për kronologjinë e kësaj marrëveshje. Duhet thënë se Qeveria Kurti ka më së paku merita për këtë marrëveshje. Por, pavarësisht kësaj, është Qeveria Kurti që e ka vonuar, së paku dy vjet, realizimin e kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje ka filluar qysh në Qeverinë Mustafa. Edhe Presidentja Jahjaga ka merita të veçanta për inicimin e kësaj marrëveshje. Në Qeverinë Mustafa atëherë kemi punuar gjatë në plotësimin e një liste të gjatë të kushteve për t’u kualifikuar”., tha ai.
Kurse Pal Lekaj nga AAK- meritor për këtë marrëveshje e bëri liderin e tij, Ramush Haradinaj.
“Qeveria mirë do të ishte ta kishte pranuar menjëherë këtë marrëveshje e jo pas presioneve të vazhdueshme që ia kemi bërë. Por, më mirë vonë se kurrë. Sidoqoftë, kjo marrëveshje është sukses i përbashkët pasi ishte korriku i vitit 2019 kur kryeministri Haradinaj kishte nënshkruar draft-marrëveshjen me drejtoreshën e MCC, edhe pse ne kemi shpresuar që ky grant do të shkonte për ndërtimin e projektit amerikan të gazsjellësit”, deklaroi Lekaj.
Me 89 vota pro, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar të enjten marrëveshjen që një ditë më parë Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) në Kongresin amerikan.
Marrëveshja e miratuar është nënshkruar të mërkurën në Uashington nga ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli dhe Alice Albright, drejtoreshë ekzekutive e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC)./21Media