Kush i pagoi shpenzimet e udhëtimit të Kurtit në Greqi?

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka treguar qëllimin e vizitës dhe qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti në Greqi pasi në media u raportua se Kurti po qëndron në një resort luksoz bashkë me familjen.
Përmes një postimi në Facebook, Kryeziu ka thënë se Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik dhe shpenzimet ia ka mbuluar organizatori.
“Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit. Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI”, ka shkruar Kryeziu.
Tutje, ai ka treguar se kjo është hera e katërt që Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre.
Kryeziu ka treguar se shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit të kryeministrit mbulohen nga organizatori.
“Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori”,
Gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, Kurti ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë.
“Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë, sikurse ai me kryeministrin e Greqisë, z. Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtëm, z. Dendias, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, z.Panagiotopoulos dhe liderin e opozitës, z. Tsipras, si dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, z. Schinas dhe politikanë e diplomatë nga rajoni dhe bota”, ka shkruar Kryeziu.
Ai ka treguar se kryeministri është interesuar për gjendjen e të helmuarve në Deçan duke thënë se Kurti ka biseduar në telefon me Ramosajn.
“Pas takimit të djeshëm me ministrin e Punëve të Jashtme, z.Dendias, kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj. Të helmuarve ju dëshirojmë edhe njëherë shërim të shpejtë. Po bëjmë gjithçka me të gjitha mundësitë, që së bashku të tejkalojmë këtë gjendje”, ka përfunduar zëdhënës i Qeverisë së Kosovës./21Media
 
 

Back to top button