Kushtetuesja: Lëndët e PDK-së dhe LDK-së janë duke u proceduar

Gjykatës Kushtetuese është duke proceduar lëndët e PDK-së dhe LDK-së për konstituimin e Kuvendit, kështu konfirmoi për rtv21 zëdhënësi i Gjykatës, Veton Dula. Por, nuk ka dhënë detaje të tjera se sa mund të zgjasë, apo kur pritet të përfundoj shqyrtimi i lëndëve.
“Të dyja lëndët janë duke u proceduar aktualisht”, tha Dula.
Ditë më parë PDK ka dorëzuar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, përmes së cilës kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Në kërkesën e dorëzuar në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, kontestohen katër çështje kyçe që, sipas partisë, përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese:
Kërkesa për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë;
Hedhja në votim e këtij Komisioni;
Vetë votimi i Komisionit;
Ndërprerja e seancës pas mosmiratimit të Komisionit.
PDK vlerëson se të gjitha këto veprime janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas saj, ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar rrugën që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit.
Po ashtu edhe LDK-ja përmes lëndës së dorëzuar në Gykatën Kushtetuese i kërkon Gjykatës të konstatojë që Avni Dehari ka shkelur Kushtetutën dhe të urdhërojë atë të procedoj sipas rendit të ditës. LDK-ja konsideron se: “Rregullorja e punës së Kuvendit, përcakton qartë se si bëhet rendi i ditës. S’mund të ndryshohet gjatë vazhdimit të seancave konstituive. E ftojmë Kryesuesin e Kuvendit dhe VV-në që t’i kthehen kushtetutshmërisë”.
Ndërkohë, në aktgjykimin e Gkykatës Kushtetueseë janë dhënë afat 30 ditë për konstituimin e Kuvendit. Të mërkurën është tenimi i 44-të për konstitumin e Kuvendit./RTV21/21Media