Kuvendi miratoi raportin vjetor të Auditimit të Buxhetit për vitin 2020

Kuvendi i Kosovës me 79 vota pro ka miratuar sot raportin vjetor të Auditimit të Buxhetit të Kosovës për vitin 2020. Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për buxhetin e vitit 2020.
Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca ka prezantuar raportin e ZKA-së për buxhetin e Kosovës për 2020, e që ka thënë se kanë dhënë opinion të kualifikuar.
Spanca mka deklaruar se fokus kryesor gjatë auditimit të buxhetit ka qenë cilësia e raportimit financiar, pajtueshmëria e transaksioneve financiare me ligjet dhe rregulloret, efektiviteti i sistemit të kontrollit të brendshëm të organizatave buxhetore përfshirë kontrollet e sigurisë së informacionit dhe kontrollit të aplikative të sistemit informativ të menaxhimit financiar, si dhe zbatimi i rekomandimeve.
“Konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se organizatat buxhetore në fushën e raportimit financiar po bëjnë përmirësime të lehta nga viti në vit, ndonëse shpaloset lidhur me informatat financiare kanë ende mangësi të theksuara. Po ashtu, gjetjet në fushën e pajtueshmërisë janë mjaftë të përhapura dhe domethënëse. Gjendje më e rënduar ekziston te ndërmarrjet publike ku si raportimi financiar ashtu edhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor vazhdojnë të kenë të meta serioze. Sa i përket sistemit informativ për menaxhimin e financave të Kosovës përkundër përmirësimeve të ndërmarra ende nevojitet të forcohen mekanizmat e sigurisë në mënyrë që sistemet e informacionit të jenë më të mbrojtura”, ka thënë Spanca.
Ajo ka deklaruar se për pasqyrat financiare të qeverisë është dhënë opinion i kualifikuar, kjo për arsye se të hyrat ishin mbi vlerësuar për 42 milionë euro.
“Për pasqyrat financiare të qeverisë është dhënë opinion i kualifikuar, kjo për arsye se të hyrat ishin mbi vlerësuar për 42 milionë euro për shkak se të hyrat vetjake të bartura nga viti paraprak ishin përfshirë në planin buxhetor të vitit 2020. Shpenzimet prej 18 milionë euro me ligjin e buxhetit ishin klasifikuar nëpër kategori jo adekuate, por keq klasifikime ishin bërë edhe në rastin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, kompensimin e pagave jubilare përcjellëse, shujtave dhe shpenzime të tjera të procedurave gjyqësore. Po ashtu, në pasqyrën e shpalosjeve në shtojcat lidhur me pasuritë kapitale mbi 1 mijë euro, pasuritë nën 1 mijë euro, stoqet, detyrimet dhe llogaritë e arkëtueshme të raportit financiar vjetor të buxhetit të shtetit kishte prezantime të gabuara në shuma të konsiderueshme”, ka thënë Spanca.
Ajo ka bërë të ditur se në auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për 2020 janë dhënë 654 rekomandime.
Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani ka deklaruar se është shqetësuese vazhdimi i pagesës në shumë mbi 1 milion euro për zyrtarët e komunitetit serb, e për të cilët nuk ka evidenca se shkojnë në vendin e punës.
“Gjatë vitit pagesat e zyrtarëve të komunitetit serb apo ish-pjesëtarëve të mbrojtjes civile në mungesë të evidencave për vajtje-ardhje në punë janë paguar mbi 1 milion euro, e që ky trend po vazhdon që nga viti 2015, e po bëhen pagesa kundërligjshëm duke shkelur ligjin. Nga këtu i bëj ftesë edhe Prokurorisë që të merret qoftë edhe me personat të cilët përgatisin këto paga për shkak që nuk kanë asnjë bazë ligjore që të jepen këto paga pa një evidencë të ardhjes në punë të këtyre punëtorëve”, ka thënë Rrahmani.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka folur rreth rastit të vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i shtetit, për çka ka thënë se pushteti aktual nuk ka bërë asgjë për ta ndriçuar këtë rast.
“Asnjëherë më herët Thesari nuk ka dhënë rekomandime edhe nuk ka pasur gjetje që sistemi i Thesarit nuk është i qëndrueshëm. Në anën tjetër ju bëj me dije gjithashtu që nuk flitet për dobësi të sistemit sepse nuk ka pasur sulm nga jashtë, sulmi ka qenë nga brenda dhe është bërë nga faktori njëri, përkatësisht nga zyrtari i cili ka punuar në Thesar e që ka qenë i punësuar që nga viti 2011. Flas edhe në cilësinë e ish-ministres së Financave nuk ka pasur asnjë riorganizim në Thesar, do të thotë Thesarin ashtu siç e kemi gjetur ashtu e kemi lënë, por është e vërtetë ka ndodhur ky transaksion i paligjshëm”, ka shtuar Bajrami.
Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar që të miratohet Ligji i pagave, pasi ka thënë se nuk ka zgjidhje tjetër, teksa ka shtuar se Kuvendi sot nuk e ka zvogëluar pagën e Auditorit të Përgjithshëm, por e ka rritur.
“Ne në fakt, sot nuk e kemi zvogëluar rrogën e Auditorit të Përgjithshëm, ne e kemi rritë. Për shkak se në qoftë se shkojmë te tabela e koeficienteve në Ligjin e Pagave koeficienti i Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës ka qenë koeficienti 8 që në esencë i bie që është dashur të ketë rrogën 1 mijë e 912 euro, që në bazë të koeficientit dhe Ligjit të pagave që unë e kam udhëheq është kjo shumë. Pra, në fakt ne nuk e kemi zvogëluar, por në bazë të Ligjit të Pagave e kemi rrit”, ka shtuar ai.
Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me 79 vota pro ka miratuar raportin vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsion për vitin 2020. Komisioni për Legjislacion dhe Komisioni për Buxhet kanë rekomanduar që ky raport të miratohet.

Back to top button