Kuvendi miraton deklaratën në mbështetje të Rezolutës së PE-së, dështon ajo për policinë

(Lajm i përditësuar)
Kuvendi miraton deklaratën në mbështetje të Rezolutës së PE-së, dështon ajo për policinë
Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian për sulmin terrorist serb në Banjskë në Zveçanit. Pro kësaj deklarate votuan 86 deputetë nga mazhoranca dhe opozita.
Deklaratën e prezantoi shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ku mes tjerash vlerësohet mbështetja e Parlamentit Evropian në lidhje me sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator.
“Kuvendi i Kosovës vlerëson lartë të gjitha qëndrimet politike dhe mbështetjen parimore të Parlamentit Evropian në lidhje me cenimin e integritetit territorial të Kosovës nga Serbia… Mbështet fuqishëm thirrjet dhe rekomandimet e PE-së për ta mbajtur përgjegjëse ndërkombëtarisht Serbinë si subjekt i hetimit ndërkombëtar në lidhje me shpalosjen e rolit dhe përfshirjes së saj, pjesë e së cilës është evidenca që konstaton porositjen, planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023. Pika 3: I bashkëngjitet kërkesës së PE-së që sa më parë të ekstradohen në Kosovë planifikuesit e sulmit dhe cilido subjekt që e ka asistuar realizimin e këtij sulmi terrorist që ka cenuar rendin Kushtetues të Kosovës. 4. Vlerëson lartë qëndrimet përmes të cilave nënvizohet rëndësia e heqjes së masave ndaj Kosovës dhe vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë. 5. Fton Parlamentin që të luajë rol ende më fuqishëm në lidhje me qëndrimin që mbajnë 5 vendet mosnjohëse që ta njohin pavarësinë e Kosovës. 6.Vlerëson lartë kritikën që pe i jep qasjes destruktive të Serbisë. 7. Fton PE të marrin në shqyrtim dhe të vlerësojnë aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat”, ka thënë Tahiri.
Krahas kësaj, Kuvendi nuk miratoi rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, pasi vetëm 25 deputetë të opozitës votuan pro, kurse 59 deputetë të partisë në pushtet abstenuan.
Po ashtu, Kuvendi nuk miratoi as rezolutën në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave, pasi mazhoranca votoi kundër.
AAK kërkon që të votohet rezoluta për rritjen e koeficientit të pagave
Sot me fillim në ora 10:00 vazhdon punimet Kuvendi i Kosovës ku si pikë e rendit të ditës pritet të jetë për votim rezoluta e propozuar nga AAK për rritjen e koeficientit të pagave nga 105 në 129 euro.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar nga deputetët që ta votojë këtë rezolutë,
“Duke ditur që jemi në një situatë të rend ekonomike në vend; Faktin që punëtorët në administratën e shtetit menxi po e lidhin muajin me muaj; Duke vlerësuar që edhe raportet e fundit të Bankës Botërore po këtkojnë që të shmangët një kolaps ekonomik, vlerësojmë se: është tepër me rëndësi që sot kuvendi të votoj rezolutën ku kërkohet të rritet koeficienti nga 105 ne 129”. Deputet, mos kqyrni majtas e djathtas por votoni, PËR.”, ka shkruar ai në Facebook./21Media
Kuvendi mban seancë, në rend dite rezoluta për Policinë dhe miratimi i deklaratës në mbështetje të rezolutës së PE-së
Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë sot (e enjte) seancën plenare.
Në seancën e cila pritet të nisë nga ora 10:00, është paraparë miratimi i deklaratës në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian të datës 19 tetor 2023, mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.
Në këtë seancë është paraparë edhe shqyrtimi i pikave të papërfunduara nga seancat plenare, të mbajtura më 19 tetor dhe 2 e 3 nëntor.
“ Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit për Ankesa të Mediave. Votimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës, votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me nevojën për ngritjen e koeficientit të pagave, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-208 për Parqet Industriale dhe Teknologjike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-237 për kadastër të pronës së paluajtshme, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë, shqyrtimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2022, zgjedhja e dy anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje dhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.