Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar sot unanimisht Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që do t’i hapë rrugë hetimit dhe gjykimit të krimeve të luftës në Kosovë.

Pro këtyre ndryshimeve u shprehën 68 deputetë pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Që nga mbarimi i luftës, më 1999, krimet e luftës janë hetuar nga gjyqtarë dhe prokurorë të huaj, ndërsa nga viti 2015, këtë rol e kanë marrë institucionet e Kosovës.

Prej vitit 2000-2008, UNIMK-u ka qenë autoriteti, i cili ka trajtuar çështjet e krimeve të luftës. Ky mision ka ngritur aktakuza ndaj 3 serbëve, 19 shqiptarëve dhe një malazezi, por për të gjitha këto raste ka dënuar vetëm një person për krime lufte. Pas përfundimit të misionit të UNMIK-ut, përgjegjësitë në këtë fushë janë kaluar te misioni i Bashkimit Evropian EULEX, i cili ka funksionuar prej vitit 2009-2018. Por ky mision ka pasur kompetenca ekzekutive deri në vitin 2014.

EULEX-i gjatë kësaj periudhe ka ngritur aktakuza për krime lufte kundër 11 serbëve, 39 shqiptarëve, një malazezi dhe një personi nga komuniteti RAE. Ndërsa pas kalimit të kompetencave tek autoritetet e Kosovës, në vitin 2014, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur deri në qershor 2020 aktakuza për krime lufte kundër 39 personave.

Ndryshe, gjatë luftës në Kosovë humbën jetën rreth 13.500 persona, ndërsa 1.600 ende konsiderohen të pagjetur.