Kuvendi miraton Rezolutën që dënon sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë

(Lajm i përditësuar)
Kuvendi miraton Rezolutën që dënon sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë
Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot një Rezolutë me anë të së cilës dënon sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, të dielën.
Kryetari i Kuvendit Glauk Kojufca e ka paraqitur përmbajtjen e Rezolutës para deputetëve.
“DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet në Rezolutë.
Haradinaj: Kuvendi duhet ta nxjerrë një rezolutë që e dënon sulmin terrorist dhe që parasheh hetim ndërkombëtar
Abdixhiku: Koha të fitojmë betejën diplomatike ndaj Serbisë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator është organizuar nga Serbia.
Abdixhiku, në seancën e sotme të Kuvendit, tha se qëllimi i këtij sulmi terrorist ishte krijimi i një realiteti të ri në veri, por që dështoi falë profesionalizmit dhe patriotizmit të institucioneve të sigurisë së Kosovës.
“Këtë të diel Republika e Kosovës u bë cak i një sulmi mirë të organizuar dhe mirë paramenduar terrorist. Në krye të këtij organizimi qëndronte krimineli tashmë i shndërruar në terrorist, Milan Radonjçiq, në mbështetje të tij pa asnjë dyshim qëndronte Republika e Serbisë. Qëllimi ishte i qartë siç u kuptua nga vet sponsorizuarit terrorist, krijimi i një realiteti të ri në veri dhe për krijimin e tij duheshin edhe viktima. Ato vinin në formën e pelegrinëve vizitorë në Manastir të Banjskës si masë nxitëse të një përplasje të mëvonshme të Policisë së Kosovës me popullsinë civile në veri. Këtë skenar Kosova dhe po thuajse të gjitha shtetet e dala nga lufta e Jugosllavisë e kishin të njohur tash. Si përgjigje ndaj këtij sulmi institucionet tona të sigurisë kishin dhënë përgjigjen më adekuate të mundshme. Në bashkërendim me aleatë dhe profesionalizëm më të lartë të mundshëm e diela e nisur me tragjedi në mëngjes u shndërrua në një ditë të triumfit të së drejtës ndaj terrorit”, tha ai.
Abdixhiku tha pas triumfit ndaj këtij sulmi terrorist tani është momenti për fitore diplomatike të Kosovës në raport me Serbinë.
Ai ofroi mbështetje ndaj institucioneve, mirëpo theksoi nevojën e bashkërendimit me aleatët ndërkombëtarë, veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saja do të mbështesë gjithherë institucionet e Kosovës në përballje të tilla. Por tani sot na duhet mençuri. Atë që vajzat dhe djemtë tanë e fituan ditën e 24 shtatorit në Banjskë duhet të fitojmë në politikë dhe diplomaci. Tani radhën e ka beteja politike dhe këtu ndërtohen kthesat e mëdha, ne e kemi një mundësi të tillë. Është përgjegjësi e qeverisë dhe për këtë do të ketë mbështetjen pa asnjë kalkulim tonin se këtë situatë të përkthejë në avancim të pozicionit tonë ndërkombëtar. E vërteta e vetme është se gjatë dy viteve të fundit pozicioni i Kosovës ka qenë i rënduar jemi ende në masa ndërkombëtare dhe sanksione. E vërteta e vetme është se në përballje të tilla bashkërendimi me aleatë është jetik… Ne duhet të bashkërendojmë veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë pikë propozimi i djeshëm i presidentes të vendit është në vijë me qëndrimet tona si parti. Pra jemi në moment të mirë dhe moment tonin. Prandaj veprimet e ardhshme tonat janë jetike, nuk na duhet të jemi në ndikime të rastit”, shtoi Abdixhiku.
Kurti bën thirrje për ndëshkim ndërkombëtar të Serbisë: Nëse s’ndodh, krimi mund të përsëritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një fjalim në Kuvend të enjten ka bërë thirrje që faktori ndërkombëtar ta sanksionojë Serbinë pas sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën. Siç thotë Kurti, nëse Serbia s’ndëshkohet, ajo mund ta përsërisë krimin.
Kuvendi nis seancën me një minutë heshtje për heroin Afrim Bunjaku
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë filluar seancën plenare me një minutë heshtje për rreshterin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku. Parlamenti mblidhet për herë të parë pas aktit terrorist të së dielës nga grupet terroriste serbe në veri të vendit.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca kërkoi nga deputetët që të nderojnë heroin Afrim Bunjaku.
“Në emër të Kuvendit të Kosovës dhe të grupeve parlamentare të kërkoj që ta mbajmë një minutë heshtje për rënien e heroit tonë, Afrim Bunjaku, për rënien e rreshterit të Policisë së Kosovës, në detyrë”, tha ai.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore. Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar disa persona. Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armatimi në Manastirin e Banjskës, ku terroristët ishin strehuar.
Kuvendi mblidhet sot
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (e enjte) në seancë plenare.
Sipas njoftimit, mbledhja do të nisë në ora 11:00.
Në rend dite janë 23 pika.
Rendi i ditës:
1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3. Pyetjet parlamentare,
4. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,
6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
8. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
9. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
10. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
11. Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,
12. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media,
13. Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale,
14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-125 për Pronën Publike,
15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale,
16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës,
17. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/-L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.08/L-032 të Procedurës Penale,
18. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovë,
19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-245 për artin dhe kulturën,
20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor,
21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave,
22. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,
23. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?