Kuvendi nesër mban seancë të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës nesër duke filluar nga ora 11:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të shqyrtohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë në vend.
Qeveria e Kosovës më 24 dhjetor ka marrë vendimin për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë, dhe të njëjtat i ka proceduar Kuvendit për shqyrtim dhe miratim në bazë të Ligjit për energji.
Kryeministri Albin Kurti, ka thënë sot se nuk ka zgjidhje të mirë në situatën aktuale të krizës energjetike në të cilën gjendet Kosova.  Sipas tij, Kosova është dashur të mendojë shumë më herët që të mos vijë në këtë situatë.
“Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellë në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro”, ka shkruar Kurti në Facebook, duke shtuar se “reduktimet me energji elektrike pothuajse janë hequr”.
“Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr”, ka shkruar kryeministri.

Show More
Back to top button