Kuvendi s’miraton një sërë raportesh të institucioneve të pavarura dhe shkon në pushim veror

 
Ka përfunduar seanca e sotme plenare e Kuvendit të Kosovës, me këtë rast, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka shpallur të mbyllur sesionin pranveror të legjislativit dhe ka bërë të ditur se i njëjti do të shkojë në pushim veror. Por, paraprakisht, deputetët e Kuvendit, kryesisht nga mazhoranca s’kanë miratuar një sërë raportesh të vitit 2020 të institucioneve të pavarura që mbikëqyren nga Kuvendi.
Përfundimin e sesionit pranveror e bëri të ditur, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Në pajtim edhe me vendimin që e ka marrë Kryesia e Kuvendit, po e shpallim të mbyllur edhe sesionin pranveror për Kuvendin e Kosovës. Prej këtij momenti, Kuvendi zyrtarisht shkon në pushim deri kur të kthehemi në sesionin vjeshtor”, tha ai.
Falënderuese për punën e deputetëve dhe të administratës për këtë sesion u shpreh edhe ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Paraprakisht, deputetët nga pushteti s’miratuan raportin vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2020, raportin vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2020 dhe raportin vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2020.
Ndërsa, për raportin vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2020 s’kishte kuorum në vendimmarrje.

Back to top button