Kuvendi voton sot për buxhetin dhe projektligjin për pagat

Në rend dite nëntë pika

Kuvendi i Kosovës sot nga ora 10:00 mban seancë plenare, ku do të shqyrtojë projektligjin për pagat në sektorin publik e gjithashtu edhe projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019

Pritet që të shqyrtohen nëntë pika të rendit të ditës, duke përfshirë edhe projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Rendi i ditës:

1. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura,

2. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zyrtarët publik,

3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për pagat në sektorin publik,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë,

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256,

6. Propozimi për formimin e Komisionit Ad Hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social,

7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019,

8. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019, të përcaktuar me Ligjin nr.06/L-20 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018,

9. Shqyrtimi i Propozim-Statutit të Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje edhe pse në sesionin vjeshtor kanë bojkotuar shumicën e seancave të Kuvendit, në sesionin pranveror kanë paralajmëruar pjesëmarrje në seancat plenare.

Seanca e parë e sesionit pranveror u mbajt më 30 janar./21Media

Back to top button