“Lagja e Trimave”- Frika e banorëve akoma është e pranishme
Kumanova në orët e para të mëngjesit të 9 majit, dy vite më parë, u zgjua nën krisma dhe shpërthime.
Lagja ku ishin përqendruar luftimet, e njohur si “Lagja e Trimave” ishte shëndërruar në gërmadha me viktima, ku mes të vrarëve ishin 8 pjesëtarë të policisë dhe 10 pjesëtarë të një grupi të armatosur.
E sot pas dy viteve, kjo lagje është krejt ndryshe, me shtëpi të reja dhe infrastrukturë të rregulluar. Por banorët e saj thonë se nuk e harrojnë lehtë 9 majin e dy viteve më parë, shkruan TV21.TV
“Pas dy vjetëve siç shihet shtëpitë u ndërtuam, por shpirti nuk rregullohet traumat mbeten”, tha Xhevrie Shabani, banore e Lagjes së Trimave.
“Unë jam larguar mbrapa shtëpisë nëpër kumshi bashkë me fëmijë jemi larguar edhe mbetën vetëm djemtë në shtëpi”, tha Ibrahim Memeti, banor i Lagjes së Trimave.
“Fëmijët e vegjël atyre ju paraqitën edhe në ëndrra se si ka ndodhur ai tmerri madh edhe ende pyesin thonë a ka ende bomba sepse fëmijët e vegjël ashtu e kanë përjetuar e kjo nuk harrohet”, tha Azem Ibrahimi, banor i Lagjes së Trimave.
Për të zbardhur të vërtetën se çfarë ndodhi në këtë lagje, avokati mbrojtës i të akuzuarëve, Naser Raufi thotë se kjo mund të bëhet vetëm përmes një hetimi ndërkombëtar. Ai thotë se në këtë rast ka gisht politika.
“Mendoj se këto katër raste janë të montuara për arsye politike. Sa ju përket rasteve të Mostres dhe Lagjës së Trimave ishin për defokusimin e popullatës për ato situatat politike që ishin në vend. Mendoj se ndërhyrja e hetimeve ndërkombëtare është mundësia e vetme që mund t’i zbardh këto raste e posaçërisht Lagjen e Trimave”, u shpreh Naser Raufi, avokat.
Ky rast ende nuk ka epilog gjyqësor, pasi që po vazhdojnë seancat gjyqësore të kanë filluar në shkurt të vitit të kaluar. Në bankën e të akuzuarve janë 37 pjesëtarë të këtij grupi, 29 prej tyre si pjesëmarrës të drejtpërdrejt në përleshjet e 9 majit, ndërsa 8 të tjerë si pjesë logjistike e tyre, të cilët nga prokuroria akuzohen për terrorizëm.
Por, një pjesë e të akuzuarve që janë dëgjuar në seancë kanë hedhur poshtë akuzën e ngritur nga prokuroria. Ata në dëshmitë e tyre kanë folur se kanë qenë të manipuluar nga politikanë dhe struktura të shërbimeve sekrete të shtetit. Seanca që ishte caktuar sot pikërisht në ditën e dyvjetorit, u anulua, për tu mbajtur më 11 maj, ku Prokuroria Publike do të duhet të prezantojë video-incizime në cilësi të provave të reja./21Media