Lajçak: Afate kohore nuk kemi, por kemi “vija të kuqe”

 

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se dialogu midis dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve është aktualisht çështja më e rëndësishme në Ballkan dhe paralajmëroi se do të ketë intensifikim të raporteve midis dy palëve.

“Të dyja palët e kuptojnë se dialogu dhe normalizimi nuk mund të shmangen. Evropa është në krye të këtij procesi qysh në vitin 2011, sepse edhe Serbia, edhe Kosova kanë të ardhme evropiane. Për ne, kjo është çështje e fqinjëve tanë dhe e anëtarëve të ardhshëm, e jo ndonjë aktivitet i marrëdhënieve publike”, tha Lajçak në Forumin e 15-të Strategjik të Bledit në Slloveni.

Lajçak tha se nuk ka afate në negociata, sepse, siç u shpreh, “nëse vendosni afate, ju do të keni diçka që mund të ndikojë në proces”, por kjo është arsyeja që ka “vija të kuqe”, që BE-ja nuk dëshiron t’i kalojë, tha ai.

“Kemi vija të kuqe. Nuk është e drejtë të thuhet se për çfarëdo që të merren vesh dy palët, për ne është në rregull. Sepse, mandati im thotë se këndi që duhet të arrijë në proces, është që normalizimi i marrëdhënieve të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të jetë i pranueshëm për anëtarët e BE-së dhe ta qetësojë situatën në rajon”, tha Lajçak.

Ai shtoi se Evropa do ta pranojë ndihmën e ndonjë pale të tretë, përfshirë SHBA-në, nëse ofron zgjidhje konkrete./Rel

Back to top button