Lajçak diskuton me Kurtin për dialogun

 

Emisari special i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se ka diskutuar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti mbi procesin e dialogut.

“Në margjinat e takimit jo formal të Ballkanit Perëndimor sot, unë isha i lumtur që u takova me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të vazhduar diskutimet tona në lidhje me hapat e ardhshëm në dialog”, ka shkruar diplomati sllovak në Twitter.

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, në vizitën e tij të fundit në Prishtinë në fillim të marsit pati thënë se ai pret që marrëveshja Kosovë-Serbi të arrihet gjatë qeverisjes së Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Sipas tij, nuk ka asnjë pengesë që një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet edhe brenda muajsh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga ana e tij, disa herë e ka potencuar se ai është i gatshëm për dialog me Serbinë, por nuk e ka ndër prioritet e tij.

Në prill, komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi, i shkroi një letër kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në të cilën i kërkoi vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë. Sipas Varhelyi, kthimi i perspektivës evropiane në realitet për Kosovën kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut me Serbinë dhe normalizim raportesh mes dy vendeve.

Back to top button