Lajçak e sheh të rrezikshme idenë për ridizajnim të kufijve

 

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e ka cilësuar të rrezikshme idenë për ridizajnim të kufijve në Ballkan, sikur që është paralajmëruar nga një non-paper i publikuar nga mediat sllovene. Këtë, ai e ka parë si kërcënim për luftë.

“Ideja për ridizajnim të kufijve, s’është e re. Ka qenë për shumë vjet. Por disi u kthye tash. Thellësisht s’pajtohem me të. E shoh si ekstremisht të rrezikshme dhe kërcënim për luftën. Me implementimin e kësaj ideje do të përmbushnim idenë e Millosheviqit dhe Tuxhmanit. Këtë nuk duam ta bëjmë. Kam qenë i qartë. Është kundërshtuar”, ka thënë Lajçak në një konferencë online të Institutit Italian për Studime Politike.

Ai ka shtuar se këto ide po shfaqen për shkak të paqartësisë në rajon e motivin e zbehur për rrugën drejt Evropës.

Sipas tij, plani kryesor që duhet të ndjekë Evropa është zgjerimi i saj me pranimin e shteteve të Ballkanit. Lajçaku s’ka pranuar të flasë se kush mund të jetë prapa non-paperave të publikuar së fundmi.

“Unë nuk jam këtu të spekuloj. Mendoj se mund ta them arsyeshëm dhe saktësisht kush është prapa tyre, por ky s’është roli im të bie në nivel spekulimesh”, ka thënë ai.

Për deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se dialogu s’është top-prioritet për të, Lajçaku ka thënë se “në politikë s’mund të zgjedhësh prioritetet, por ato të zgjedhin ty”.

Sipas tij, dialogu është prioritet për të dy qeveritë dhe se ideja për punësim e drejtësi në Kosovë lidhen me integrimin evropian përmes dialogut.

Çështjen e paralajmëruar të Kurtit për masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, Lajçaku e ka parë më shumë si “çështje elektorale”.

Ai ka thënë se një gjë e tillë s’do t’i bënte mirë dialogut.

Back to top button