Vuçiq shkon në Tiranë, pas bisedës me Lajçak

(Lajm i përditësuar)
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do të shkojë në Tiranë të martën ku do të mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Vuçiq para gazetarëve ka thënë se mosshkuarja e tij në Samitin BE-Ballkani Perëndimor do të ishte dëm i madh për Serbinë.
“Nuk jam i sigurt, por me siguri do të ketë, ose shpresoj se do të ketë, ndonjë përfitim nga shkuarja në Tiranë. Me siguri do të ishte një dëm i madh për vendin tonë nëse nuk shkoj në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, ndoshta do të tregoja se kotësia ime është më e fortë dhe më e madhe, por sigurisht që do të ishte një dëm i madh për vendin, në terma të tërheqjes së investimeve dhe gjithçka tjetër. Ndoshta kolegët e mi kanë të drejtë kur thonë se është më mirë të dëgjosh të paktën një përgjigje sesa të mos dëgjosh asgjë. Pra, unë nesër do të shkoj atje dhe do të luftoj për popullin tonë”, ka thënë Vuçiq.
Lajçak e Vuçiq flasin për zhvillimet në Kosovë
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka përfunduar takimin me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Beograd, në përpjekje për të rinisur dialogun në nivel të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti serb Vuçiq tha pas takimit se vendi i tij është i “gatshëm për vazhdimin konstruktiv të dialogut, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit dhe për krijimin e kushteve më të mira për jetë për të gjithë qytetarët”. 
Lajçak vjen në Prishtinë
Gjatë ditës Lajçak pritet të takohet edhe me zyrtarë tjerë serb, ndërkohë që jo zyrtarisht u tha se ai do të mund të arrijë në Prishtinë gjatë ditës së sotme për t’u takuar me Kryeminsitrin Albin Kurti.
Lajçak nisi vizitën në rajon në një kohë të ngritjes së tensioneve të sërish me në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas emërimit të një politikani serb të Kosovës, Nenad Rashiq, në detyrën e Ministrit për Kthim dhe Komunitete. Kryeministri Kurti shmangu Listën Serbe, që dha dorëheqje nga të gjitha detyrat në nivel qendror e local, duke e emëruar Rashiqin, që nxiti reagimin e pashembullt të Presidentit Vuçiq. Ky i fundit e cilësoi Kurtin “terrorist”, kurse një pjesë të politikanëve serbë të Kosovës “llum dhe plehra”.
Vuçiq paralajmëroi bojkotin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor që mbahet më 6 dhjetor në Tiranë, i pari i kësaj natyre në një vend të rajonit. Megjithatë, ai la të kuptohej, më vonë, se mund ta “rishqyrtonte vendimin”. Vuçiq tha pas takimit me Lajçak se kanë “diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë” dhe se ka shtruar domosdonë e “zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”.
Lajçak në Beograd për dialogun dhe bindjen e Vuçiqit për të marr pjesë në Samitin e Tiranës 
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pritet që gjatë qëndrimit në Beograd të provojë ta bindë Presidentin serb Vuçiq, për të marr pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, që pritet të mbahet në Tiranë më 6 Dhjetor. Presidenti serb Vuçiq paralajmëroi, pak ditë më parë, se as ai dhe asnjë tjetër nga Serbia nuk do të marr pjesë në Samit, vetëm një ditë pasi Kryeministri Kurti e emëroi një përfaqësues serb të Kosovës, Nenad Rashiq, në detyrën e Ministrit për Kthim dhe Komunitete, duke shmangur Listën Serbe që u largua nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Lajçak e paralajmëroi vizitën e tij në Prishtinë e Beograd javën e kaluar dhe bëri me dije se po bëhen përpjekje për të ulur në dialog Kurtin dhe Vuçiqin.
“Në radhë natyrisht janë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne duam këtë proces dhe jemi pajtuar që këto diskutime të bazohen në dokumentin që ia kam prezantuar Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq më 9 shtator me mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës. Ky dokument ka adresuar një numër çështjesh”, tha Miroslav Lajçak për RTV21.
Një vendim i Kryeministrit Kurti për të emëruar në detyrë Nenad Rashiqin si Ministër për Kthim dhe Komunitete, që është drejtuar deri në dorëheqje nga Lista Serbe, nxiti reagimet e Beogradit zyrtar. Presidenti Vuçiq “shpërtheu” në fyrje ndaj Kryeministrit Kurti dhe udhëheqësve të tjerë serbë në Kosovë duke I quajtur, të parin, “terrorist” dhe të tjerët “plehra”.
Vuçiq tha se po e anulonte pjesëmarrjen në Samitin, BE-Ballkani Perëndimor, që për herë të parë mbahet në rajon. Kryeminsrja serbe, Ana Bërnabiq, tha megjithatë se “presidenti Vuçiq po e rishqyrton pjesëmarrjen” në Samitin e Tiranës më 6 dhjetor.
Ajo tha se pjesëmarrja e tij në Samit tregon se, siç tha, “askush në rajon nuk ka kredibilitet si Vuçiq” dhe e cilësoi si “dyfytyrësi të pazakontë të BE-së me paralajmërimet për liberalizim të vizave për Kosovën”.   
Bërnabiq tha se “nuk e pranon Kushtetutën e Kosovës” dhe theksoi se serbët nuk mund të përfaqësohen nga dikush që ka marrë “30 herë më pak vota se sa Lista Serbe”, të cilën e mbështet Qeveria në Beograd.
Bashkimi Evropian e cilësoi vendimin e Kurtit për emërim të Rashiqit si zhgënjyes dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, ndërkohë që nga të dyja palët kërkoi të tregojnë përmbajtje dhe të sillen “si evropianë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndërkohë duke mos e komentuar qëndrimin e Presidentit serb ndaj tij, ka folur për vazhdimin e dialogut dhe ka fajësuar Serbinë për “mosgatishmëri për të arritur marrëveshje”./21Media

Back to top button