Lajçak javën e ardhshme në Kosovë e Serbi përgatit takimin Kurti-Vuçiq

I dërguari i posaçëm për dialogun i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar brenda javës së ardhshme një vizitë në Kosovë dhe Serbi në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë, Kurti-Vuçiq. Paralajmërimet e Lajçak për vizitë në rajon vijnë në kohën e shtimit të një retorike nxitëse, për të cilën Bashkimi Evropian iu bëri thirrje të dyja palëve që të sillen në mënyrë evropiane. Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq u përplasën në distancë, pas vendimit për emërim në detyrë të ministrit për kthim të përfaqësuesit të serbëve të Kosovës, Nenad Rashiq.
Megjithëse nuk tha një datë të caktuar për takimin e radhës ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq, i dërguari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak i tha pak ditë më parë RTV21 se takimi do të zhvillohet së shpejti dhe se në agjendë do të jetë marrëveshja përfundimtare. Lajçak paralajmëroi se do të qëndrojë në Prishtinë e Beograd, javën e ardhshme për diskutuar për procesin e dialogut dhe për dokumentet e fundit me të dy bashkëbiseduesit.
“Në radhë natyrisht janë bisedimet për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne duam këtë proces dhe jemi pajtuar që keto diskutime të bazohen në dokumentin që ia kam prezantuar Kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuçiq më 9 shtator me mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës. Ky dokument ka adresuar një numër çështjesh”, tha Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun.
Vizita në Kosovë e Serbi e të dërguarit evropian për dialogun, vie në një periudhë të tensioneve të rritura, pas një emërimi që ka bërë kryeminstri Kurti në kabinetin e tij qeveritar. Ai e emëroi Nenad Rashiqin, një politikan serb, në detyrë të ministrit për kthim dhe komunitete, duke shmangur përfaqësuesit e Listës Serbe që dhanë dorëheqje nga të gjtiha funksionet pak kohë më parë. Në një situatë tensioni, kur Presidenti serb Vuçiq ka paralajmëruar bojkotimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë javën e ardhshme, Bashkimi Evropian po provon që të shpëtojë sërish situatën. Zëdhënësi, Peter Stano, bëri thirrje që të dyja palët të ulin tensionet dhe të sillen në mënyrë evropiane.
“Nëse keni aspirata evropiane, silluni në mënyrë evropiane. Rruga evropiane do të thotë të përmbahesh nga hapat e njëanshëm, të përmbahesh nga hapat që po shtojnë konfrontimin, që po çojnë në përshkallëzim, dhe të angazhohesh në gjetjen e zgjidhjeve në mënyrë evropiane”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
Një plan franko-gjerman që së fundmi u paralajmërua si i Bashkimit Evropian, është cilësuar si një rrugë përpara për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet dy palëve, por pak është bërë e ditur nga ai. Edhe Prishtina edhe Beogradi kanë dërguar komentet e tyre për propozimin dhe Brukseli ka refuzuar të komentojë nëse ndonjëra palë e ka refuzuar atë. Bashkimi Evropian tha se po punon për të arritur një marrëveshje në një kornizë kohore deri më 2024, para zgjedhjeve në SHBA, por la të kuptohet se pranvera e vitit të ardhshëm mund të jetë një afat i mundshëm i arritjes së marrëveshjes. Megjithëse tha se në propozimin framko gjerman nuk I pëlqen shumëçka, kryeministri Kurti e cilësoi atë si një bazë të mirë për bisedime.
 “Nëse e duam marrëveshjen me gjithë mend, nëse e duam normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka kurrfarë dyshimi që nuk nevojiten disa vite por nevojiten disa muaj. Mbase do të thosha edhe fare pak muaj, gjithsesi, para pranverës së vitit të ardhshëm”, tha Kurti.
Megjithëse e refuzoi pjesëmarrjen në Samitin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian në Tiranë, Presidenti serb Vuçiq la të kuptohet se do ta rishikojë vendimin. Në një moment të hidhërimit dhe të paraqitjes publike me dramaticitet pas emërimit të Nenad Rashiqit në detyrën e ministrit, Vuçiq e cilësoi Kurtin, siç tha, “terrorist” dhe Kosovën si diçka të shenjtë.
“Mund të më vrisni, mund të bëni cfarë të doni, për mua Kosova është shenjtorja më e madhe serbe dhe për mua Serbia është se shenjtë. Më mirë të mos jem se sa t’ua jap në dorë”, tha Vuçiq.
Pala serbe ndërkohë ka kërkuar që përpara dialogut për propozimin franko-gjerman të krijo0het Asociacioni I Komunave me shumicë serbe, që rrjedhimisht, siç thotë, do të kthente edhe serbët e Kosovës në institucione./21Media

Back to top button