Lajçak jep detaje për propozimin franko-gjerman: I ka 11 pika

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka dhënë disa informacione rreth propozimit evropian, i njohur si propozimi franko-gjerman, që po diskutohet me Kosovën dhe Serbinë për arritjen e marrëveshjes për normalizim.
Lajçak ka thënë se plani ka 11 pika dhe synimi i BE-së që përmes këtij plani të ndalet cikli i krizave. Ai ka thënë se në takimin e fundit në qeveri me kryeministrin Albin Kurti, plani është diskutuar për dy orë e gjysmë.
“Takimi ishte i gjerë dhe i gjatë për këtë plan. Synimi është që të ndalet cikli i krizave. Janë 11 pika në këtë plan. Kemi diskutuar propozimin në përgjithësi. 2 orë e gjysmë janë mjaft kohë për të diskutuar për propozimin dhe kontekstin ndërkombëtar. Kishte ndryshime, sepse sic thashë pas versionit të parë, kam vizituar Prishtinën dhe Beogradin, dhe kemi inkorporuar komentet. Megjithatë, filozofia e planit nuk ka ndryshuar”, ka thënë Lajçak në një intervistë për “Rubikon”.
Lajçak ka thënë se propozimi synon që me një marrëveshje Kosovë-Serbi t’u jepet fund krizave mes dy vendeve.
“Drafti është hartuar me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kishim gjashtë kriza që nga vera e kaluar dhe merr shumë kohë dhe energji, dhe na kthen prapa në rrugën tonë përpara”, ka thënë Lajçak tutje.
Ai ka deklaruar se propozimi po diskutohet ndaras me Kosovën e Serbinë. Ka shprehur pritjen e tij, që kur palët të takohen së bashku, propozimi të bëhet marrëveshje.
“Po e diskutojmë planin ndaras me palët. Presim, që kur t’i bashkojmë, ta pranojnë, nënshkruajnë dhe zbatojnë marrëveshjen. Jemi partnerë, nuk vijmë me kërcënime dhe ultimatume. Është një grup vërtetë serioz dhe kemi qëllimin më të mirë që me të vërtetë ta zhvendosin marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në një nivel më të mirë”, ka thënë ai.

Back to top button