Lajçak: Nuk kërkojmë nga kryetarët e rinj të mos pranojnë mandatet

(Lajm i përditësuar)

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak bëri të ditur se të hënën do të ketë takim në Bruksel me kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Ai pas takimit të sotëm me kryeministrin Albin Kurti u shpreh ishte një diskutim intensiv dhe të njëjtin do ta zhvillojë edhe nesër në Beograd.

Sipas tij, të gjithë duhet të fokusohen në normalizim dhe zbatim të marrëveshjes.

Para gazetarëve, Lajçak theksoi se në takimin e sotëm diskutun për rrugën përpara në procesin e normalizimit.

“Unë kam ardhur sot në Prishtinë për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Bislimi për rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit. Është me të vërtetë e rëndësishme që ne të kemi një kuptim të qartë për hapat e ardhshëm, prandaj, kemi pasur një diskutim shumë të rëndësishëm për të gjitha aspektet, të njëjtin diskutim do ta bëj nesër në Beograd dhe do të takoj dy kryenegociatorët z. Bislimi dhe z. Petkoviq të hënën, në Bruksel. Pra, kjo është shumë e rëndësishme që ne të kemi qartësi, ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim të qartë të hapit të parë, hapit të dytë dhe hapit të tretë. Pra, ky ishte qëllimi, ne kishim, siç thash, një diskutim shumë intensiv, por shumë të rëndësishëm dhe të dobishëm me kryeministrin Kurti”, tha Lajçak.

Lajçak bëri të ditur se gjatë ditës do të shkojë edhe në veri, që siç tha ai, për të kuptuar situatën atje.

“Dhe sot pasdite do të shkoj edhe në veri të Kosovës, do të takoj vendasit atje, dua të kuptoj nga afër situatën atje dhe shpresoj shumë se do të ketë një zgjidhje politike që do të mundësojë të gjithë ne të fokusohemi plotësisht në normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes”, tha Lajçak.

Para gazetarëve, i dërguari i posaçëm për dialog u shpreh se përshkallëzimi i situatës nuk është në interesin e askujt.

“Ne mund të kemi vetëm normalizim apo konfrontim, dhe ne duam patjetër të fokusohemi plotësisht te normalizimi. Kjo është arsyeja pse ne duam të shmangim çdo përshkallëzim apo çdo konfrontim. Kjo nuk është në interesin e askujt…Se si e sheh Bashkimi Evropian procesin e hartimit të statutit kemi diskutuar në detaje me z. kryeministër dhe mendoj se ne e kuptojmë mirë procesin dhe siç thashë do të shkoj në veri, por është gjithashtu interesante për mua të flas me kryetarin e Mitrovicës Jugore dhe natyrisht të dëgjoj perspektivën e tij për situatën në veri”, nënvizoi Lajçak.

Lajçak u shpreh se po përpiqen te gjejnë një rruge të mesme, derisa u pyet për Asociacionin dhe se çfarë është e pranueshme për BE-në.

“Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë një rrugë të mesme, dhe kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të bëjmë…Ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është ajo që bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane dhe që është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. Dhe e kemi thënë që në fillim, kështu që nuk do të them më shumë në këtë pikë, mendoj se jam mjaft i qartë”, tha ai.

Emisari i BE-së nuk dha për detaje të diskutimit, me ç’rast, tha se nuk dëshiron të dërgojë mesazh publik.

“Nuk dua të hyj në detaje të diskutimit. Kjo është, siç thash, pjesa e parë e udhëtimit tim, unë do të vazhdoj këto diskutime në Beograd dhe nuk dua të dërgoj asnjë mesazh publik në këtë pikë dhe shpresoj ta kuptoni këtë”, u përgjigj ai.

Pas takimit me Kurtin dhe Bislimin, Lajçak mohoi që kanë kërkuar nga kryetarët në veri që të mos pranojnë mandatet e tyre.

Kujtojmë që, në Bruksel më 2 maj Kosova dhe Serbia janë pajtuar për Deklaratën për të Zhdukurit, ku të dy vendet do të shtonin përpjekjet për zbardhjen e fatit të 1643 personave të pagjetur nga lufta e fundit.

Ndërsa, në këtë takim është prezantuar edhe draft statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ekipi menaxhues, tashmë i shkarkuar, në përbërje të serbëve të zgjedhur nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq në kohën sa ka qenë zëvendëskryeministër në Qeverinë Hoti.

Pas takimit me Kurtin, Lajçak: Ka ose normalizim, ose konflikt

Pas takimit që kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar për media.

Lajçak ka thënë se kishte diskutime intensive dhe të rëndësishme për hapat tutje në rrugën drejt nomralizimit

“Isha në Prishtinë sot për të diskutuar me kryeministrin Kurti dhe zëvendësin Bisilimi për rrugën përpara normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme se kemi kuptim të plotë për hapat dhe diskutime të rëndësishme për të gjitha aspektet. Do të kem diskutimet e njëjta nesër në Beograd dhe të hënën në Bruksel do të takohem me kryengociatorët nga të dy vendet. Ne kemi marrëveshjen, kemi ankesin dhe duhet të ide të qarta për hapat në vijim. Kishim diskutime intensive dhe shumë të rëndësishme me kryeministrin Kurti”,  u shpreh Lajaçk.

Lajçak ka thënë se gjatë ditës do të jetë edhe në veri të Kosovës, sipas tij, për ta kuptuar dhe parë “vetë situatën atje” duke shpresuar se “do të ketë një zgjidhje politike për t’u fokusuar në normalizim dhe marrëveshje”.

“Ne mund të kemi ose normalizim, ose konflikt. Sigurisht se ne duam të fokusohemi plotësisht në normalizim, prandaj duam të shmangim çfarëdo përshkallëzimi, nuk është në interesin e askujt”, ka theksuar Lajçak.

Nis takimi Kurti-Lajçak

Ka filluar takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe emisarit të Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës për të pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Mësohet se paraprakisht diplomati sllovak, i cili mbërriti më herët se Kurti, ka patur takim me zëvendëskryeministrin dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi.

Dita nis me Lajçakun

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të vizitojë sot Kosovën.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, do ta presë në takim Lajçakun.

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se takimi pritet të fillojë herët në mëngjes, në ora 7:30.

Ndryshe, Kurti është takuar në Bruksel më 2 maj me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Aty është nënshkruar Deklarata për të Zhdukurit, ndërsa nuk është rënë dakord për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./21Media

Back to top button