I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë të hënën se në dialogun e zhvilluar mes përfaqësuesve të këtyre dy shteteve në Bruksel, është arritur përparim i plotë në diskutimet rreth bashkëpunimit ekonomik dhe çështjes së personave të pagjetur dhe të zhvendosur.

“Është e rëndësishme që të dy liderët këtë mëngjes, teksa kanë ardhur nga takimet e Shtëpisë së Bardhë, kanë konfirmuar se janë të lidhur me prioritetet e integrimit në Bashkimit Evropian dhe në vazhdimin e punës për dialogun Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja”, ka thënë Lajçak pas takimit.

Sipas tij, në takimin e së hënës është diskutuar për çështjet e komuniteteve joshumicë, dhe pretendimeve të përbashkëta financiare e pronësore.

“Ky ka qenë këmbimi i parë që na ka lejuar neve të definojmë hapat e ardhshëm të diskutimeve tona. Takimi ynë i radhës do t’iu dedikohet këtyre temave”, ka deklaruar ai.

Lajçak mes tjerash ka përmendur se bisedimet nuk kanë qenë të lehta, mirëpo se në to është shënuar përparim.

Edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar të hënën në Bruksel se kanë përafruar qëndrimet e tyre për çështjen e të zhvendosurve dhe të zhdukurve si dhe bashkëpunimin ekonomik.

Pas bisedimeve të zhvilluara ndërmjet dy delegacioneve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, liderët kanë thënë se në kuadër të këtij dialogu janë hapur edhe dy tema: asosacioni i komunave dhe çështja e zgjidhjes së kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

Kryeministri Hoti tha se në Bruksel ka marrë pjesë vetëm për drafitimin e një marrëveshjeje finale, e cila sipas tij duhet të përfshijë njohjen reciproke.

“Ne jemi në Bruksel vetëm për këtë çështje, për të treguar konstruktivitetin tonë si qeveri, si shtet që jemi të gatshëm të lëvizim përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, ka thënë Hoti.

“Unë me kënaqësi them se është bërë progres në draftimin e marrëveshjes finale mes të dy shteteve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe për njohjen reciproke”, ka shtuar ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se në kuadër të dialogut tani po trajtohen çështje të vështira dhe palët kishin pikëpamje të ndryshme. Kjo sipas tij, bën që bisedimet të jenë më të komplikuara dhe më të vështira.

“Sidoqoftë, unë nuk jam i pakënaqur me takimin e sotëm”, ka deklaruar ai.

Vuçiq tha se në takimin e së hënës, ishte pala serbe ajo që hapi çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se për këtë temë do të diskutohet edhe në raundin e ri të bisedimeve.

Presidenti serb deklaroi se për temën e “personave të zhvendosur brenda vendit dhe personave të zhdukur” u diskutua mundësia e inspektimit të të gjitha arkivave, në mënyrë që të hetohet vendndodhja e eshtrave të 1,000 shqiptarëve dhe rreth 530 serbëve, të cilët konsiderohen si të zhdukur.

“Ne kemi rënë dakord për një mekanizëm për përcaktimin e regjistrave të personave të zhvendosur dhe personave të zhdukur dhe qasjen në të gjitha arkivat. Prishtina do të miratojë një ligj mbi kthimin e personave të zhvendosur, i cili është një hap i rëndësishëm, megjithëse ne mbetemi të rezervuar për rezultatet në praktikë”, ka paralajmëruar Presidenti i Serbisë.

Vuçiq tha se sapo të formohen Qeveria e re serbe, ai do të paraqesë para kuvendit temën e Kosovës.

“Sapo të formohet një qeveri e re dhe kuvendi të fillojë të punojë me kapacitet të plotë, ne do të paraqesim para Kuvendit temën e Kosovës. Ne e kemi pasur atë në parlament 5-6 muaj më parë, por ne duam që të gjithë ata që marrin pjesë në bisedime t’i paraqesin kuvendit se çfarë po diskutohet”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Bisedimet Kosovë-Serbi do të vazhdojnë javën e ardhshme në nivel ekspertësh, derisa në nivel liderësh më vonë gjatë këtij muaji, përkatësisht 28 shtator. /REL