Kurti: Ata që flasin për sanksione duhet të mendojnë më thellë

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur masat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës të gabuara, duke këmbëngulur se Qeveria e Kosovës qëndron prapa kryetarëve të zgjedhur në veri.

Në një intervistë për “Financial Times” ai ka theksuar se ata që flasin për sanksione duhet të mendojnë më gjerë, duke shtuar se ajo që duhet sanksionuar është Serbia.

“Ata që po flasin për sanksione ndoshta duhet të mendojnë më gjerë dhe më thellë. Serbia nuk po i vendos sanksione Federatës ruse dhe po financon këtë milici fashiste në pjesën veriore të shtetit tim, kështu që ndoshta ata duhet të sanksionohen”, ka thënë ai.

SHBA-ja e ka përjashtuar Kosovën nga stërvitjen “Defender Europe 2023”. Duke thënë se veprimet e Qeverisë do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë, SHBA-ja ka paralajmëruar edhe pasoja të tjera.

Kurti e ka përshkruar SHBA-në si “mik dhe partner kyç” të Kosovës, teksa tha se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin amerikan në Prishtinë.

“E pranoj se sa i përket qasjeve kemi pasur një dallim të vogël, por sinqerisht nuk mendoj se çfarëdo sanksioni ndaj Kosovës… është masa e duhur”.

Kurti ka shprehur gatishmërinë që të takohet me presidentin serb nëse ndërmjetësohet nga Brukseli.


Kurti për sanksionet e ShBA-së: U befasova, reagim i tepruar

Vendimi i SHBA-së për të penalizuar Kosovën pas përleshjeve të dhunshme që lanë rreth 30 ushtarë të KFOR-it të plagosur është edhe befasues edhe “reagim i tepruar”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti të mërkurën për POLITICO.

Në përgjigje të krizës në thellim, Uashingtoni shkoi deri në anulimin e pjesëmarrjes së Kosovës në një stërvitje ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja dhe deklaroi se tani ka pak entuziazëm për të ndihmuar Kosovën të ecë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.

“Ne kemi një ndryshim të vogël në qasje – dhe mendoj se të menduarit për sanksione kundër Kosovës duket joproporcionale dhe e padrejtë”, tha Kurti në një intervistë në margjinat e konferencës GLOBSEC në Bratislavë.

“Isha i befasuar”, shtoi ai, duke e karakterizuar përgjigjen amerikane si një “reagim të tepruar”.

SHBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë qortuar ashpër Prishtinën mes tensioneve në rritje në rajon lidhur me vendimin e Kosovës për të instaluar me forcë kryetarët shqiptarë etnikë në ndërtesat komunale në zonat me shumicë serbe, pavarësisht një pjesëmarrjeje prej nën 4 për qind në zgjedhjet e fundit lokale.

NATO këtë javë vendosi 700 trupa paqeruajtëse shtesë në Kosovë pasi 30 ushtarë nga KFOR-i u plagosën gjatë një konfrontimi me protestuesit serbë të hënën.

Kurti megjithatë ka insistuar se forcat policore janë duke qëndruar në vend.

“Turma e dhunshme duhet të largohet – ose duke shkuar në burg ose në Serbi”, tha ai. Vetëm atëherë, shtoi Kurti, Kosova do të “ulë numrin e policëve”.

Kryeministri fajësoi qeverinë e Serbisë për rritjen e fundit të tensioneve. Dhe i pyetur nëse ka frikë se situata aktuale mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë, Kurti paralajmëroi, “mundet”. Por, shtoi ai, kjo “varet” nga Beogradi.

Në intervistën e së mërkurës, Kurti ka treguar se do të ishte i gatshëm të bisedonte me Vuçiqin nëse organizohet një takim. Por kryeministri drejtoi gishtin edhe drejt kryeqyteteve perëndimore.

“Ajo që ne shohim nga Perëndimi demokratik është një qasje e caktuar zbutëse”, tha ai. “Kështu erdhëm deri në këtë pikë”


15:49: Lajçak për veriun: Dhuna e papranueshme, nevojë urgjente për një zgjidhje politike

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Laçak, ka  deklaruar se nevojitet një zgjidhje urgjente politike për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

“Gjatë dy ditëve të fundit kam marrë pjesë në Forumin Global të Sigurisë. Gjatë takimeve dhe bisedave të mia të shumta kam diskutuar për situatën në Ballkanin Perëndimor, në veçanti për tensionet dhe përshkallëzimin në veri të Kosovës. Ne kemi nevojë urgjente për një zgjidhje politike. Dhuna nuk është e pranueshme”.


14:10- Borrell deklarohet pas takimit me Kurtin: Kemi nevojë për shtensionim urgjent të situatës

Pa takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell e vlerësoi sërish të rrezikshme situatën në veri si dhe kërkoi që të shtensionohet.

“Takova kryeministrin Albin Kurti në Bratislavë për të diskutuar tensionet në veri të Kosovës. Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin urgjent dhe një zgjidhje përmes dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur”, ka shkruar Borrell.


13:00-Kurti u takua me Borrellin dhe Lajçkun: Rruga përpara është e rrënjosur në demokraci

Kryministri i Kosovës, Albin Kurti sot në Bratisllavë është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin special për dialog, Miroslav Lajçak.

Ai pas takimit tha se rruga përpara është e rrënjosur në demokraci, sundim të ligjit dhe zbatim të plotë dhe të shpejtë tëMarrëveshjes Themelore

“Në udhëtimin tim ditor në@GLOBSEC Jam takuar me HR/VP@JosepBorrellF dhe SR@MiroslavLajcak. Ritheksoi se sulmet e milicisë serbe ndaj Policisë, KFOR-it dhe gazetarëve janë të papranueshme. Rruga përpara është e rrënjosur në demokraci, sundim të ligjit dhe zbatim të plotë dhe të shpejtë të Marrëveshjes Themelore.”, njoftoi Kurti në Twitter.


12:27- Kurti për sanksionet e SHBA-së: Jem i brengosur por jo i frikësuar 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se është i brengosur, por jo  i frikësuar pas sanksioneve të SHBA-ve ndaj Kosovës, që përcollën zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Kurti në Bratislavë ka thënë mesazhi i SHBA-së ishte i fortë dhe se po përpiqen që të gjejnë rrugëdalje.

“Ju pyetët a jeni i frikësuar, apo i brengosur. Jam i brengosur gati gjithë kohën, po nuk frikësohem. Sepse prapë është përshkrim i punës që të mos frikësohem, por të brengosem. SHBA-ja ka përçuar një mesazh të fuqishëm, po përpiqemi fort që të gjejmë rrugëdalje, dhe rrugëdalja nuk duhet të jetë rrugë e lakuar, por një hekurudhë.”, tha Kurti.


12: 25-Kurti për situatën në veri: Së pari të largohen huliganët, pastaj bëhet ulja e numrit të policëve

Në Forumin e Bratisllavës, Kryeministri Albin Kurti fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në veri.

“Po punojmë shumë të gjejmë rrugëdaljen. S’duhet të jetë rrugë e lakuar, por me dy traka. E para të dilet nga kriza me sundim të ligjit, huliganët në Serbi ose në burg në Kosovë, e më pas ulja e numrit të policisë dhe normalizim të situatës dhe implementimi i shpejtë, i plotë, pa shtyrje e pakushte i marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Kurti në Forumin e Bratislavës.


12:15- Kurti : NATO e pazevendëshueshme për sigurinë  e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti  tha  se misioni i NATO-s është i pazëvendësueshëm për sigurinë dhe mbrojtjen e Kosovës.

Ai tha ka koordinim e komunikim me NATO-n, por sipas tij nuk mund të pajtohen për çdo gjë.

“Siç e dini, ne e kemi NATO-n në Kosovë që nga gjenocidi dhe e konsiderojmë të pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen. Jemi në kontakt të rregullt me NATO-n. Ka koordinim e komunikim, por jo që pajtohemi gjithmonë në çdo gjë. Sikur në këtë rast. Ndërtesat u takojnë Republikës. E kuptoj se s’duhet të ketë shumë policë brenda, por s’duhet të ketë paraprakisht dhunë jashtë. Patë njerëzit duke sulmuar KFOR-in e policët tanë. 30 të lënduar, ka dhjetëra përgjegjës, por s’janë në burg. Ata duhet të burgosen”, deklaroi Kurti


12: 15-Kurti në Bratisllavë: Vuçiqi i ka rënë pishman që ka bërë marrëveshje

Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, në Forumim “Globsec 2023” në Bratisllavë ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i “ka rënë pishman arritjes së Marrëveshjes”.

“Serbia është fqinja jonë veriore, por nuk e njeh Kosovën dhe ka thënë se s’do ta njohë kurrë, ndonëse se ka një marrëveshje më 27 shkurt e po ashtu një plan zbatimi të dakorduar në Ohër më 18 mars. Situata është e tensionuar, pasi kemi një tekst të përgatitur e të kthyer në Traktat bazë mes Kosovës dhe Serbisë që në esencë është njohje de facto. Zbatimi mungon, pasi Beogradi nuk do”, tha Kurti.

Ai ka folur për situatën në veri dhe zgjedhjet në katër komunat veriore që u mbajtën më 23 prill.

“Komuniteti ndërkombëtar njohu këto zgjedhje, kështu që kryetarët duhet të shkojnë në zyra, që janë prona të Republikës sonë, e janë të zbrazuar. Kur ata tentuan të shkonin, banditë filluan të sulmonin policinë tonë dhe ushtarët e NATO-s”, tha Kurti.


11:05- Kurti në Bratisllavë takohet me Borrellin dhe Lajçakun

Pjesëmarrjen e Kryeministrit Albin Kurti në Konferencën për Siguri Globale në Bratisllavë e konfirmoi për portalin rtv21.tv edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai bëri të ditur se Kurti atje do ta takohet me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Borrel dhe emisarin e BE-së, Lajçak si dhe do të jetë pjesë e disa paneleve të diskutimit.

“Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë.” tha Kryeziu


10:40-Kurti ka udhëtuar në Bratisllavë, dalin fotografitë nga Forumi

Kryeministri Albini Kurti ka mbërritur në Bratisllavë për të marrë pjesë në Forumin “GLOBSEC2023”. Dje nga

Qeveria e Kosovës konfirmuan se udhqëtimi i Kurtit i paraparë për dje është shtyrë për shkak të gjendjes në veri të vendit.

Megjithatë, mbërritja e kryeministrit të Kosovës në kryeqytetin e Sllovakisë u konfirmua në faqen e Forumit vjetor GLOBSEC në Bratislavë për politikën e jashtme në Facebook, ku u publikuan edhe tri fotografi të Kurtit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albini Kurti, ka mbërritur në Forumin GLOBSEC2023 në Bratislavë. Dëgjojeni atë më vonë këtë mëngjes në një bisedë me titull: Në qendër të vëmendjes: Ardhmëria e Kosovës”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button