Lajçak: Pranimi i planit evropian do të zvogëlonte hapësirën e Rusisë për ndërhyrje në Ballkan

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka thënë sot se pranimi i propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zvogëlojë hapësirën që Rusia të ndërhyjë në ngjarjet në rajon dhe të krijojë kaos.

Lajçak, në konferencën online “Evropa dhe Rusia në Frontin Ballkanik”, tha se pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, stabilizimi i Ballkanit Perëndimor është më i rëndësishëm se kurrë për BE-në, shkruan Danas.

Emisari evropian, mes tjerash, vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë problem kyç për të gjithë rajonin, i cili bllokon normalizimin e Ballkanit Perëndimor dhe lirinë e lëvizjes.

“Pranimi i marrëveshjes do të ishte një mesazh pozitiv për të gjithë rajonin”, tha Lajçaku në këtë konferencë.

Tutje, Lajçaku tha se versioni i ri i aneksit të këtij plani do të diskutohet të shtunën në Ohër.

Back to top button