Lajçak​ tregon pikëpamjet e tij se si mund të hyjnë vendet e Ballkanit në BE

Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, ka folur mbi pikëpamjet e tij rreth progresit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në një konferencë për Ballkanin Perëndimor sot në Lubjanë, diplomati sllovak tha se anëtarësimi në BE është nxitja më e fortë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve sikurse ajo ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse më pyesni mua se si të ndryshohet, do të thosha se do të ishte shumë mirë nëse njëri prej vendeve të Ballkanit Perëndimor do të shpërthejë përpara, sepse ata janë përshtatur duke bërë shumë pak pasi besojnë që nuk ia vlen, por kur e shohin njërin duke bërë progres dramatik, kjo do të ishte një thirrje për zgjim për të tjerët”, tha ai.

Duke folur për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, Lajçak tha se “nuk ka levë më të fortë se vizioni i prekshëm i anëtarësimit evropian”.

“Nëse beson që kjo do të ndodhë atëherë je i motivuar të adresosh problemet tua”, u shpreh ai.

Back to top button