Lajçaku nuk i takoi përfaqësuesit shqiptarë të Luginës, reagoi Sinani

Këshilltarja e kryeministrit, Albin Kurtit për Luginën, Ardita Sinani thotë ndihet e zhgënjyer pasi  që ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajaçk nuk i takoi përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas saj, është e pakuptueshme mungesa e takimeve nga ana e Lajçakut me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Keqardhje që i nderuari z.Miroslav Lajčak nuk ka takuar ende të zgjedhurit e shqiptarëve në Republikën e Serbisë. I kuptueshëm takimi i fundit me përfaqësuesit e listës serbe, të komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës, sidomos duke i marrë parasysh tensionet dhe përshkallëzimin e mundshëm të stabilitetit dhe sigurisë. Por e pakuptueshme mungesa e takimeve me të zgjedhurit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Kjo qasje madje edhe mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara për qarqet që po nxisin destabilizimin e gjendjes së sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, sikurse tash në veriun e Kosovës”, ka shkruar Sinani.
Ajo thotë se shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur dhe se është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi.
”Lugina e Preshevës si rajon dhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shumë të diplomuarëve shqiptarë në universitetet e Kosovës, shtetas të Republikës së Serbisë, nuk ju njihen diplomat për rreth 15 vite me radhë. Ky është vetëm njëri prej problemeve që ndërlidhet me raportet Kosovë-Serbi. Shumë çështje që trajtohen në dialogun Kosovë-Serbi kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Luginën e Preshevës si rajon, e me shqiptarët e Serbisë në përgjithësi. Prandaj është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi”, ka shkruar ndër tjera Sinani në Facebook.
Ajo në fund i ka bërë thirrje Lajçakut që ti ftojnë në takim edhe të zgjedhurit e shqiptarëve në Luginë të paktën për ti dëgjuar.
”Përfshirja e të zgjedhurëve të tyre në proces është në shërbim të stabilitetit, sigurisë, evropianizimit dhe demokracisë së Ballkanit Perëndimor.Prandaj, z.Lajçak, Ju ftoj që të na takoni edhe neve, të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi. Për t’na dëgjuar. Së paku”, ka shkruar në fund Sinani./21Media 

Back to top button