Lamtumirë Sofka!

Sot në moshën 69-vjeçare ka vdekur Sofie Thaçi-Havolli – regjisore, realizatore dhe make up artiste.

Lajmin për vdekjen e saj e bëri të ditur djali, Arian Havolli përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”.

“Lamtumirë NANË Faleminderit përjetësisht, shpirti yt i bardhë pushoft në paqe pranë dashurisë tënde, tfala Babit Fizikisht nuk jeni më por deri në frymën tonë të fundit do ju kujtojmë “Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi””, ka shkruar i biri i të ndjerës.

Lamtumirë e porosi i dha edhe nipi i saj, Artan Thaçi i cili me anë të një fotografie në “Instastory” e bëri një shkrim prekës për hallën e tij.

“Qofsh banore e xhenetit Hallë. M’i boj të fala babit e pushoni si dy engjuj” ka shkruar ai.

Sofie Thaçi-Havolli ka dhënë kontributin e saj në forma të ndryshme, qoftë si regjisore, asistente e regjisë, realizatore si dhe si make up artiste.

Që nga gushti i vitit 2000 Sofie Thaçi-Havolli punoi në RTV21 si regjisore ku për këto vite ka dhënë kontributin e saj në emisione kontaktuese, zbavitese, të drejtëpërdrejta. Për më shumë se 18 vjet realizoi programin e mëngjesit “Për ditë të mbarë” në RTV21, ku po ashtu për më shumë se 15 vjet edhe lajmet “Flash”.

Drejtoresha gjenerale e RTV21, Afërdita Saraçini-Kelmendi i dha lamtumirën e fundit “Sofkës” duke e falënderuar për punën dhe kontributin shumëvjeçar në këtë kompani.

“Lamtumire Sofka! Nje jete e tere kushtuar punes ne televizion! Prapa kamerave, ne regji! Nje person i pergjegjshem qe jetonte jeten me sekonda e minuta! Jo lehte por bukur ! Nje mesuese per te rinjte se si eshte te jesh e sakte e pergjegjshme! Perplot ide dhe angazhim! Te falemnderit Sofka! Paç rrugetim te lehte ne amshim! ”, ka shkruar Saraçini-Kelmendi.

Po ashtu Xheraldina Vula ka postuar në “Instastory” një fotografi të të ndjerës me mbishkrimin “Lamtumirë Sofka”.

Sofie Thaçi-Havollit u varros këtë të hënë në Prishtinë./21Media

Back to top button