Lansohet programi “Arti në shkolla”

Sot, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe institucione të tjera partnere në nivelin qendror dhe lokal, u lansua programi ndër-ministror “Arti në Shkolla”, ka njoftuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, prezantuan para kryetarëve të komunave, zyrtarëve publikë, si dhe përfaqësuesve të komunitetit artistik, programin i cili parasheh që çdo nxënës të ketë të paktën një aktivitet ekstrakurikular kulturor në javë, duke përfshirë:

Orë të veçanta të artit të cilat do të sjellin artistin në klasën shkollore;

Vizitat direkte në institucionet kulturore dhe në monumente të trashëgimisë kulturore;

Organizmin e nxënësve për pjesëmarrje në shfaqje të ndryshme artisike;

Themelimin e art klubeve në shkolla, që do të shërbejnë si platforma për aktivizmin e nxënësve që shprehin interesim dhe talent në cilëndo gjini të caktuar artistike: lexim, teatër, muzikë, trashëgimi kulturore apo të tjera.

MKRS tutje ka njoftuar se përgjatë muajve maj dhe qershor, fillon faza e parë e zbatimit të programit që do të zhvillohet në shkollat e Gjilanit, për të vazhduar më pas në komunat tjera./21Media

Back to top button