Lansohet programi për kompensimin e viktimave të krimit

Viktimat e krimit tani do të kenë mundësinë që të paraqesin kërkesë për kompensimin e dëmit që u është shkaktuar nga kryerësit e veprave penale

Ministria e Drejtësisë në mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, po lanson programin për kompensimin e viktimave të krimit.

Në këtë aktivitet po merr pjesë ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha e cila tha se me anë të këtij program këto viktima nuk duhet të ndihen vetëm. “Duhet të marrim të gjitha masat e mundshme t’u dalim krah viktimave”, tha ajo. Hoxha tha që të gjitha viktimat e krimit të kërkojnë kompensim.

Ministrja Hoxha, iu drejtua qytetarëve të Kosovës duke u bërë thirrje të gjithëve që të ngritin zërin kundër krimit, kundër të keqes dhe të mos kenë frikë. “Zëri i viktimave të krimit le të jetë zëri i të gjithë neve për drejtësi dhe barazi, për vlerat kundër të këqijave, për paqen dhe barazinë kundër krimit dhe padrejtësive”, tha ajo.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie tha se ky program është një çështje me rëndësi për Kosovën dhe sistemin e drejtësisë , sepse është një hap më tej drejtësia në Kosovë.

Sipas tij kompensimi i viktimave të krimit është i domosdoshëm sepse parandalon edhe krimin e organizuar.

Nehat Idrizi, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës tha se lansimi i programit për kompensim e kategorisë së cenueshme të shoqërisë është me rëndësi dhe KGJK do të jetë kontribut dhënës për këtë kategori.

Edhe Aleksandër Lumezi tha se të drejtat e viktimave të krimit janë të garantuara me Kushtetutë.

Nesrin Lushta kryesuese e Komisionit për Kompensim tha se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e punës ku për këtë kategori Qeveria për sivjet ka ndarë 100 mijë euro./21Media

Back to top button