Largimi i Lewandowski-t këtë verë nuk është një opsion

Drejtori sportiv i Bayern Munich-ut, Hasan Salihamidzic, ka insistuar se Robert Lewandowski nuk do të shkojë askund në afatin kalimtar të verës.
33-vjeçari do të bëhet lojtar i lirë në më pak se 18 muaj dhe vazhdon të jetë i lidhur vazhdimisht me një kalim te Barcelona për sezonin 2022-23.
Raportet e fundit kishin pohuar se një ofertë prej 40 milionë euro mund të mjaftonte për ta larguar Lewandowski-n nga kampionët e Bundesligës, por Salihamidzic nuk është i përgatitur të pranojë oferta për reprezentuesin polak.
“Nuk do ta pranoja. Ne kemi lojtarin më të mirë në botë dhe duam që ai të qëndrojë këtu. Jemi krenarë për të dhe e duam shumë. Nuk kemi negociuar ende me të, por do ta bëjmë”, ka thënë Salihamidzic për “Sky Deutschland”.
“Largimi i Lewandowski-t këtë verë nuk është një opsion. Ai ka një kontratë deri në vitin 2023. Ne do të kemi disa bisedime së shpejti dhe do të shohim se si do të zhvillohen dhe si të veprojmë më pas. Ne duam që ai të qëndrojë”, ka shtuar Salihamidzic.
Lewandowski, i cili ka grumbulluar 48 gola nga 43 paraqitje për Bayern-in këtë sezon, së fundmi pranoi se situata në lidhje me të ardhmen e tij nuk ishte e lehtë.

Back to top button