Largohet bilbordi ilegal në Zveçan, reagon Sveçla
Bilbordi me fotografitë e politikanëve e personaliteteve të tjera serbe dhe ruse, e të cilët ishin shpallur “qytetarë nderi në Zveçan” është larguar nga vendi ku ishte vendosur.
Kjo u bë e ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se simboli i vetëm i Serbisë brenda Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.
“Sot në Zveçan janë larguar bilbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve të cilat janë të papranueshme në Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë për vlerat demokratike dhe orientimin euro-atlantik të saj ndërkaq si institucione mbesim të përkushtuar për rend e ligj dhe zbatim të kushtetushmërisë në çdo pjesë të vendit tonë. Këto bilborde e imazhe të fashistëve e agresorëve si Vladimir Putin dhe kundërshtarëve të shtetit tonë, nuk do të gjejnë vend në shtetin tonë”, ka shkruar Sveçla./21Media