Largohet nga vendi me avion ushtarak, Presidenti i Sri Lankës në Maldive

Presidenti Gotabaya Rajapaksa u arratis nga Sri Lanka me një avion ushtarak, mes protestave masive për krizën ekonomike.
Forcat ajrore të vendit konfirmuan se 73-vjeçari fluturoi në Maldive me gruan e tij dhe dy zyrtarë të sigurisë. Ata mbërritën në kryeqytet, Male, rreth orës 03:00 me orën lokale (22:00 GMT).
Largimi i Rajapaksa-s i jep fund një dinastie familjare që ka sunduar Sri Lankën për dekada.
Presidenti ishte i fshehur pasi turmat hynë në rezidencën e tij të shtunën dhe ishte zotuar të jepte dorëheqjen të mërkurën më 13 korrik.
Një burim i tha BBC-së se zoti Rajapaksa nuk do të qëndrojë në Maldive dhe synon të udhëtojë në një vend të tretë.
Vëllai i tij, ish-ministri i Financave Basil Rajapaksa, gjithashtu u largua nga Sri Lanka dhe thuhet se do të shkojë në SHBA.
Banorët e Sri Lankës e fajësojnë administratën e Presidentit Rajapaksa për krizën e tyre më të keqe ekonomike në dekada, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv
Për muaj të tërë ata kanë luftuar me ndërprerjet e përditshme të energjisë dhe mungesat e gjërave bazë si: karburantet, ushqimet dhe ilaçet.
Lideri, i cili gëzon imunitet nga ndjekja penale, derisa është president, besohet se deshi të arratisej jashtë vendit përpara se të largohet për të shmangur mundësinë e arrestimit nga administrata e re./21Media

Back to top button