Gazetarët do të ngrenë padi, i larguan nga puna ndërsa drejtoresha me rrogë 25 mijë euro

120 gazetarë thonë që janë shpallur si tepricë teknologjike

Gazetarët e gazetareve “Utrinski vesnik”, Vest dhe “Tea moderna”  të cilët u mbyllën para disa ditëve, kërkojnë nga Drejtoria e të Hyrave Publike t’i kontrollojë të gjitha llogaritë e firmës Media Print Maqedoni, Policia financiare t’i kontrollojë të gjitha transaksionet financiare për shkak të dyshimit se janë “pompuar” para, ndërsa inspektorati i punës të konfirmojë se a janë ata të punësuar meqë tani kanë mbetur pa punë, shkruan tv21.tv

“Qëllimi ynë është që t’i drejtohemi prokurorit publik Marko Zvërllevskit, prokurores së Shkupit Gordana Geshovkës dhe prokurorit publik Zllatko Bikovskit. Nga ta kërkojmë të hapet procedurë para hetimore sepse është simptomatike rroga në lartësi prej 25 mijë eurove, në një kohë kur 120 kolegë mbeten në rrugë. Prokurori shtetëror duhet të vërtetojë se a janë “pompuar” përmes firmës MPM shuma të mëdha parash”, tha Lubisha Stankoviq, “UTRINSKI VESNIK”.

Edhe pse kërkuam përgjigje nga të gjitha  institucionet e lartpërmendura, përgjigje morëm vetëm nga Drejtoria e të Hyrave Publike. Nga atje deklaruan se për këtë çështje do të veprojnë në përputhshmëri me kompetencat ligjore.

“Si në të gjitha rastet e paraqitjeve ose ankesave, edhe në këtë rast, DHP-ja do të veprojë në përputhshmëri me kompetencat e saja dhe do t’i informojë organet kompetente për çdo veprim të mëtutjeshëm”, nga DHP.

Shoqatat e gazetarëve janë të njëzëshëm se praktika e shkatërrimit të qëllimshëm të mediumeve duhet të ndërpritet një herë e mirë.

“Ne tashmë jemi në proces për  dorëzim të padive penale  për lidhje të marrëveshjeve të dëmshme dhe për keqpërdorim të pozitës dhe detyrës zyrtare. Këto veprime në mënyrë të vetëdijshme ndikuan që firma të ketë probleme financiare, t’i ulë rrogat e gazetarëve dhe në fund të vijë deri te mbyllja gazetave, ndërsa gazetarët të mbetën pa punë”, tha Tamara Çausidis, SPGPM.

120 gazetarë të “Utrinski Vesnik”, “Vest” dhe “ Tea moderna” thonë që janë shpallur për tepricë teknologjike, ndërsa shtojnë se duhet të marrin paga edhe për muajin maj dhe qershor.

“Ne kërkojmë përgjigje se çfarë do të ndodh me ne. Kërkojmë që të na japin dokumente që firma nuk ka hapësira, nuk ka veprimtari, nuk ka pronë dhe dokument me të cilin do të na shpjegojnë a të shkojmë apo jo në punë. Sot na njoftuan që në Agjencinë për Punësim do të jemi të paraqitur si tepricë teknologjike. Kjo gjë do të thotë se kemi 2 muaj afat për të dalë nga puna dhe me këtë do të duhet të na paguajnë paga për muajt maj dhe qershor. Megjithatë, nga kompania na thonë se duhet të jemi të lumtur  nëse e marrin pagën e marsit”, u shpreh Ana Antevska, Vest.

Sipas shoqatës së gazetarëve, sistemi i mediave në Maqedoni është i korruptuar, ndërsa mediat keqpërdoren nga partitë politike. Kjo theksohet në shumë raporte të organizatave ndërkombëtare të cilat e ndjekin shkallën e lirisë së mediave në botë./21Media

 

Back to top button