LDK përshëndet deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve

LDK e angazhuar në vazhdimësi për ratifikimin e marrëveshjes

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përshëndetur Deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.

Nëpërmjet një komunikate, LDK ka thënë se është angazhuar në vazhdimësi për ratifikimin e kësaj marrëveshje të rëndësishme për sovranitetin e shtetit, për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe për proceset tjera vitale për të ardhmen e vendit.

” Në këtë kuadër, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së në mbledhjen e fundit, pa asnjë votë kundër ka mbështetur ratifikimin, duke kërkuar nga deputetët të saj që të votojnë pro kësaj marrëveshje të rëndësishme për perspektivën euroatlantike të vendit. Gatishmëria e plotë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa është demonstruar edhe sot, me ç’rast Qeveria ka qenë e gatshme që ta procedoj në Kuvend këtë marrëveshje, por që pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit u arrit dakordimi që Qeveria e Kosovës ta procedoj marrëveshjen e demarkacionit menjëherë pas seancës së Kuvendit që do të mbahet të mërkurën.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe të gjitha forumet e saj, i bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror me Malin e Zi, duke pas parasysh argumentet e plota se vija e kufirit e caktuar me marrëveshje është e shënuar në mënyrë korrekte, gjë që është konfirmuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës”, shkruhet në komunikatën e LDK-së./21Media

Back to top button