“LDK-AKR-Alternativa do t’ia hapin rrugën Kosovës në integrimet euro-atlantike”
Hoti takim me Degën IV të LDK-së në Prishtinë
Kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të martën se zgjedhjet e 11 qershorit janë referendum nëse Kosova do të shkojë në Bashkimin Evropian, ose do të mbetet e izoluar.
Ai gjatë një takimi me Degën IV të LDK-së në Prishtinë, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e vetme që ka shkuar në Evropë, pasi është anëtare e Partive Popullore Evropiane dhe ndan vlera të përbashkëta me Evropën.
“Vetëm fitorja e LDK-së dhe partnerëve saj më 11 qershor mund ta dërgojë Kosovën në Evropë, ndërsa alternativa tjetër është vazhdimi i izolimit të Kosovës”, ka thënë Hoti.
Ai është zotuar se koalicioni LDK-AKR-Alternativa do t’ia hapin rrugën Kosovës në integrimet euro-atlantike dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi do ta zgjidhin pa e humbur asnjë pëllëmbë të territorit të Kosovës.
“Ne do t’ua sjellim krejt qytetarëve të Kosovës liberalizimin e vizave. Ne do ta krijojmë ushtrinë e Kosovës. Ne e dimë si do ta integrojmë Kosovën në NATO dhe në BE. Ne kemi miq të fortë që na besojnë ne dhe duan ta ndihmojnë Kosovën. Por, ne na duhet mbështetje e fortë qytetare më 11 qershor për t’i arritur këto synime”, ka deklaruar Hoti.
Ndërsa, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, është i vetmi që ofron një program me zgjidhje konkrete për problemet e qytetarëve.“Koalicioni ynë ka program të harmonizuar. Ky program i garanton Kosovës zhvillim ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, mirëqenie sociale, arsimim e shërbim shëndetësor cilësor. Ne jemi të vetmit që kemi demonstruar vendosmëri dhe jemi të përkushtuar ta luftojmë pa kompromis korrupsionin, krimin e organizuar dhe ta mbrojmë vendin prej terrorizmit”, ka thënë ai.
Halim Muçolli, kryetar i Degës IV të LDK-së në Prishtinë, duke iu referuar koalicionit PDK-AAK-Nisma, ka thënë se kryefjala e koalicionit të natës për 18 vite ishte frika dhe monopoli./21Media