LDK: Arsimi nuk është prioritet i kësaj Qeverie

Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Sadriu Lushaku, ka thënë se rezultatet e testit të PISA-s e flasin për degradim të sistemit arsimor, teksa tha se këto të dhëna janë shqetësuese jo vetëm për Ministrinë e Arsimit, por edhe për shkollat në Kosovë.

Në një konferencë për media, ajo tha se MAShT-i ka dështuar t’i organizojë testet kombëtare, por edhe në bashkëorganizimin e testit të PISA-s.

Ajo tha se arsimi nuk është prioritet i Qeverisë sepse sipas saj MAShT-i nuk ka bërë asnjë hap në organizimin e shkollave.

“Për të ardhë te rezultatet ose tek analizat e mirëfillta ne duhet të shohim se çka bën MAShT-i sot në arsim. Fillimisht dua të them se arsimi nuk është prioritet i kësaj Qeverie. Në vitet paraprake kur rezultatet e testit PISA janë publikuar, Vetëvendosje ka bërë thirrje për seanca të jashtëzakonshme. Është pikërisht sot VV ajo që nuk tregon përkujdesin minimal për arsimin. E shohim një ministri që nuk ka bërë asnjë hap në organizimin e shkollave. Shkolla është njësia celulë e organizimit të arsimit. Ku janë shkollat sot? Shkollat sot nuk kanë një sistem të etabluar menagjerial në mes veti, por edhe shkollat përbrenda nuk kanë kapacitete për ta organizuar mësimin ashtu siç duhet”, theksoi ajo.

Zyrtarja e LDK-së gjithashtu tha se Ministria e Arsimit i ka lënë shkollat pa buxhet dhe se kjo vështirëson mënyrën e organizimit të mësimit, kurse si faktor tjetër të gjendjes së arsimit ajo përmendi edhe kurrikulat për të cilat tha se janë të stërngarkuara, duke shtuar se ato e kanë rritur edhe numrin e lëndëve.

Back to top button