LDK: Gjendje alarmante me pandemi, jashtë kontrollit të Qeverisë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me gjendjen e krijuar nga COVID-19, duke thënë se popullizmi nuk e ndalë variantin e rrezikshëm “Delta”, por një qasje racionale dhe një angazhim serioz me vaksinim.
Sipas LDK-së, sot në Kosovë janë vetëm 9% të vaksinuar dhe me numrat e tanishëm Kosova mbetet vendi i fundit në Evropë.
“Nga 781 raste kemi vetëm 9-të të reja sot. Natyrisht se sot, për shkak se situata me pandeminë është kaq e mirë, suksesi mund të merret si diçka e garantuar që do të ndodhte vetvetiu, por nëse e kthejmë shikimin vetëm 100 ditë mbrapa e kuptojmë dallimin që nuk është më pak se kontrast dhe ndryshimin që është më shumë sesa përmirësim.Janë këto fjalët e raportit 100 ditësh të Qeverisë; fjalë si mburrje e marrje meritash – pa meritë – si simbolikë. Tani që për një ditë i kemi 352 raste të reja me COVID-19, kush merr përgjegjësinë? A është ndryshimi më shumë se përmirësim tani, apo perdja e një Qeverie populliste që merr merita për gjithçka ka rënë. Masat e pakontrolluara ndërsa vazhdojnë të dërgojnë vendin drejt një mbyllje të sërishme, me kosto enorme për ekonominë dhe jetën publike. Tubimet e mëdha, e të hapura, pa një vaksinim paraprak, i kanë kontribouar gjendjes së tanishme. Në anën tjetër menaxhimin e pandemisë e bënë edhe më të vështirë largimi i rreth 650 anëtarëve të stafit të infermierëve nga klinikat që merren me trajtimin e pacientëve me COVID 19”, thuhet në reagim.
LDK në reagimin e saj thekson se lavadatat e thata më s’bëjnë punë. Ndërsa, meritat e përvetësuara edhe më pak.
“Neglizhenca e një Qeverie praktikante, është dëmi shoqëror i gjithë kosovarëve”, thuhet në reagim.