LDK-ja reagon pasi Konjufca nuk e përmendi ish-presidentin Rugova

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar rreth fjalimit të kryekuvendarit, Glauk Konjufca, në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Kosovës me atë të Shqipërisë, i cili nuk e ka përmendur ish-presidentin Ibrahim Rugoba.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi në një postim në Facebook ka shkruar se anashkalimi tregon vetëm “vogëlsi”.

“Historia nuk është përplotësuese e dëshirave momentale të politikanëve të rëndomtë. Ajo nuk mund të shërbejë si ideologji e interesave ditore. Harrimi i qëllimshëm i saj është përpjekje për ta manipuluar vetëdijen kolektive të një kombi. Diçka që nuk e toleron sidomos studimi i filozofisë. Ajo s’mund të rishkruhet. As të shtrembërohet dhe deformohet. Ajo duhet të njihet siç ka qenë. Të respektohet e promovohet si vlerë. Ndaj e shoh të pavend dhe ofenduese, që në fjalimin e sotëm të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, nuk u përmend askund kontributi madhor i atit themeltar të Republikës sonë, Presidentit Ibrahim Rugova. Anashkalimi i Presidentit historik, projektuesit të paqes dhe shtetit të Kosovës nga fjalimet e liderëve nuk tregon asgjë tjetër, pos vogëlsi. Figurat e rëndësishme e kontribuese për lirinë e pavarësinë e vendit, duhet t’i tejkalojnë inatet apo ideologjitë personale e partiake, duke e pasqyruar saktë të kaluarën tonë të përbashkët”, ka shkruar në Facebook Halimi./21Media
Back to top button