LDK: Kërcënimi i Qeverisë ndaj grevistëve është praktikë tipike autokratike

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkoi sot që Qeveria e Kosovës të ndal presionin mbi mësimdhënësit dhe punëtorët e sektorit publik të cilët nga e enjtja kanë hyrë në grevë.
Jehona Lushaku, anëtare e Kryesisë së LDK-së, tha se është e shqetësuar ndaj kërcënimit që Qeveria iu bëri dje grevistëve, duke kërkuar që ata të pezullohen nga lista e pagave.
“Kërcënimi i Qeverisë ndaj grevistëve të sektorit publik është qasje e pa precedent, ngase fyen rëndë integritetin dhe dinjitetin e tyre, duke shkelur kështu edhe një nga të drejtat më bazike të punëtorëve; të drejtën e grevës, e cila garantohet me legjislacionin e vendit tonë dhe me konventa ndërkombëtare”, tha Lushaku në një konferencë për media.
LDK-ja vlerëson se Qeveria duhet të dialogojë me grevistët, në mënyrë që viti shkollor të fillojë me 1 shtator pa presion mbi mësuesit dhe pa ngarkesa shtesë për prindërit dhe nxënësit.
“Qasja e deritanishme e kësaj Qeverie është praktikë tipike e autokratëve për t’i heshtur pakënaqësitë me qeverisjen e tij”, tha tutje Lushaku./21Media

Back to top button