LDK kritikon Vetëvendosjen: Emëruat militantë në borde
Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka emëruar militantë të saj në të gjitha bordet, e sipas saj, qytetarët nuk po e paguajnë vetëm çmimin e paaftësisë, por edhe çmimin e mashtrimit.
Në një konferencë për media, Halimi ka thënë se institucionet publike janë kapur nga partia në pushtet.
“Rasti i fundit më eklatant është konkursi i KEK-ut ku aplikuan 4 mijë e 668 persona, ndërsa u pranuan 128, prej tyre të gjithë familjarë e zyrtarë të KEK-ut dhe militantë të partisë së VV-së. Kjo është afera super ‘pronto’ e VV-së. Pra bëhet fjalë për 4 mijë e 500 persona që iu mohua e drejta e punës vetëm për shkak të përkatësisë së tyre partiake”, ka thënë Halimi.
Halimi ka theksuar se LDK-ja kërkon të anulohet konkursi dhe fton prokurorinë të fillojë hetimin për të gjithë procesin.
Kujtojmë se Korporata Energjetike e Kosovës sot ka reaguar lidhur me raportimet në media se disa prej të pranuarve janë të lidhur me partinë në pushtet – Lëvizjen Vetëvendosje. KEK përmes një komunikate ka thënë se janë duke përcjellë me seriozitet të gjitha pretendimet publike “rreth shkeljeve eventuale gjatë procesit të rekrutimit”./21Media