LDK kundërshton rritjen e tarifave për rrymën, ka një propozim për Qeverinë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka njoftuar se ka dërguar komentet në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë sa i përket rritjes së tarifave të energjisë elektrike.
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri njoftoi se kjo parti ka kundërshtuar rritjen e tarifave për energjinë elektrike.
“Jemi të vetëdijshëm që është krizë globale, por jemi të sigurt që qeveria ka dështuar thellë në menaxhimin e kësaj krize. LDK do të ndjek rrugën institucionale, nëse është nevoja do të mbrojmë të drejtën e qytetarëve edhe në Gjykatën Kushtetuese. Kemi pa se Qeveria e Republikës së Kosovës ka zotuar 75 milionë euro, me të cilët ka vendosur të subvencionojë ekonomitë familjare deri në 600 KW dhe sektorin e biznesit, konsiderojmë se shpërndarja e subvencionimit duhet të bëhet për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse ndarja e 600 KW as nuk është ndarje në bazë të standardit të jetesës, e as nuk është kurrfarë kriteri që do të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, u shpreh Bajrami në konferencë.
Ajo njoftoi që propozimi i LDK-së është që Qeveria ta ulë tatimin mbi vlerën e shtuar për energjinë elektrike në zero.
“Ne konsiderojmë që ngritja e tarifave do e rëndonte jetën e qytetarëve tanë, andaj kemi propozuar që komplet në vitin 2022 të mos ketë ngritje të tarifave. Jemi zotuar që nëse propozimet e tilla kalojnë, Lidhja demokratike e Kosovës do e sfidojë një vendim të tillë edhe në Gjykatën Kushtetuese”.
ZRrE deri më tani ka pranuar komente nga palë të ndryshme të interesit, si: Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO si dhe ka pranuar komente nga konsumatorët e energjisë elektrike, të cilat pritet t’i publikojë ditëve në vijim./21Media