LDK ngushëllon familjarët dhe PDK-në për vrasjen e dyfishtë në Pejë

Me rastin e vrasjes së dyfishtë në Pejë, ku humbën jetën dy zyrtarë të PDK-së, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shprehur ngushëllime.
“Të gjithë jemi tronditur nga vrasja e dyfishtë që ndodhi sonte në Pejë. U shpreh ngushëllime familjeve Ademaj dhe Kadrijaj si dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, për humbjen e dy zyrtarëve të saj”, thuhet në telegramin ngushëllues të LDK-së.
Sipas zëdhënësit të Policisë, Driton Rugova ngjarja ka ndodhur sonte rreth orës 20:20 në afërsi të Shkollës Ekonomike “Ali Hadri” në Pejë.
“Nga kjo ngjarje kanë qenë 3 të plagosur, të cilët janë dërguar në Spitalin e Pejës. Ekipet mjekësore e kanë konfirmuars se dy prej tyre kanë ndërruar jetë ndërsa i treti është i plagosur”, ka thënë Rugova për portalin rtv21.tv.
Zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti për portalin rtv21.tv ka thënë se në Spital kanë arritur dy persona pa shenja jete, ndërsa i plagosuri ka vetëm lëndime të lehta dhe është jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa, është konfirmuar se ky i fundit është arrestuar./21Media

Back to top button