LDK: Qeveria duhet të ketë koordinim më të madh me SHBA-të për dialogun

 
Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës koordinim dhe përfshirje më aktive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun me Serbinë, duke shfrytëzuar momentumin e krijuar me Biden president, pasi ndryshe nuk arrihet marrëveshja finale. Sipas tyre, Kosova s’e ka luksin e as komoditetin që të vazhdojë dialogun në pafundësi.
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Faton Bislimi, thotë se dy takimet e para të kryeministrit Kurti në Bruksel me palën serbe janë vazhdim i dialogut të mëhershëm, e jo proces i ri, siç po konsideron kreu qeveritar.
Pavarësisht refuzimit të propozimeve të kryeministrit Kurti në procesin e dialogut, Bislimi thotë se nuk duhet të pritet që Serbia të pajtohen me to, por të insistohet në një marrëveshje që nuk cenon interesat e Kosovës.
“Takimi i fundit që ka ndodhur në Bruksel është në vazhdën e takimeve të mëhershmeve, është vazhdimësi e procesit të dialogut që ka filluar shumë më herët. Normalisht tani në formatin ndryshe për shkak të lidershipit të ri në Kosovë. Ajo që kemi pa edhe ne edhe ju është propozimet që janë bërë nga Kosova dhe janë refuzuar nga ana e palës serbe. Por, ne nuk presim që serbët të pajtohen me ne, të pajtohen me ata që ne ofrojmë dhe konsiderojmë se është zgjidhje ideale për problemet e hapura. Ajo që është me rëndësi, që unë shpresoj dhe i bëjë thirrje ta bëjë Qeveria e Kosovës që procesin e dialogut ta zhvillojë në koordinim të plotë me ShBA-të, pa rolin e të cilëve ne fatkeqësisht as nuk do të arrijmë marrëveshje me Serbinë, por as nuk mund të zbatonim një marrëveshje që mund të arrinim”, thotë ai.
Bislimi thotë se Kosova nuk e ka luksin dhe as komoditetin që të zhvillojë dialogun në pafundësi, ndërsa ftoi që të shfrytëzohet momentumi i krijuar me Joe Biden president të SHBA-së e që ka shprehur hapur se pret marrëveshje finale me njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë.
“Kosova s’e ka luksin e as komoditetin që të vazhdojë dialogun në pafundësi sepse për neve është barrë e rëndë. Ne kemi fatin e mirë historik, por edhe tani veçanërisht që në SHBA kemi një president të ri të zgjedhur, Joe Biden, një mik i kamotshëm i Kosovës i shqiptarëve në përgjithësi. Ai në letrat e para zyrtare që i ka dërguar krerëve të institucioneve tona, ka thënë se presin një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale që ofron njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është synimi, unë besoj që do t’i shërbente interesit nacional të Kosovës që delegacioni në Bruksel dhe çfarëdo formati të fokusohet në arritjen e këtij qëllimi”, deklaron Bislimi.
Bislimi deklaroi se dialogu e tejkalon cilëndo qeveri dhe parti, pasi është interes nacional. Ai tha se si LDK nuk do t’i shmangen përgjegjësisë, pasi edhe performanca në dialog do të jetë indikator kyç në imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Performanca në dialog do të jetë indikator kyç në vazhdimin e ndërtimit të imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Dialogu që tani është stërzgjatur për kohë mbi një dekadë është barrë e madhe për Kosovën dhe i tejkalon cilëndo qeveri dhe parti. Si i tillë, sa më shpejtë që ta heqim qafe këtë barrë është më mirë për Kosovën. Ne asnjëherë nuk i kemi lajthitur përgjegjësisë së opozitës. Opozitarizmi ynë është në politikat publike të qeverisë, ku ne mund të ofrojmë alternativë më të mirë. LDK nuk është ithtarë e krijimit të opozitarizmit të fjalëve dhe inateve. Ne jemi ithtarë të krijimit të opozitarizmit me alternativ më të mirë”, shton Bislimi.
Të hënën e kësaj jave, kryeministri Albin Kurti zhvilloi takimin e dytë në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Ndërsa është paralajmëruar se takimi i radhës pritet të jetë në muajin shtator./KP

Back to top button