LDK: Qeveria po mundohet të manipulojë me raportet e publikuara

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar Qeverinë Kurti edhe për një deklaratë tjetër, që këta e quajnë propagandë. Bëhet fjalë për përparimin ose jo të Kosovës në indekset ndërkombëtare.

Sipas LDK-së Qeveria ka bërë propagandë kur ka thënë se Kosova ka shënuar përparim në indekset ndërkombëtare.

“Lidhja Demokratike e Kosovës demanton deklaratat e pavërteta të Qeverisë së Kosovës se Kosova ka përparuar në indekset ndërkombëtare. LDK do t’i gëzohej raporteve po të ishin të vërteta e Kosova të shënonte progres në të gjitha fushat. Në fakt, Qeveria e Kosovës po mundohet të manipulojë me raportet e publikuara tashmë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK ka thënë se “pushteti ka fshehur vitin 2023 për Raportin e BE-së dhe atë të World Justice Project ku Kosova ka ngecje”.

“Raporti i Progresit i BE-së për Kosovën në vitin 2023 ishte më i keqi ndër vite.”

Ky subjekt ka thënë se në indeksin Transparency International kundër korrupsionit, Kosova ka ngecur në 41 poena nga viti 2022.

“Radhitja e shteteve në këtë indeks nuk tregon asgjë sepse vendet mund të ndryshojnë vend pa pasur asnjë përmirësim. 2014-2017, gjatë qeverisjes së LDK-së, Kosova u ngrit nga 33 poena në 39 poena në Transparency International. Pushteti aktual e mori mandatin me 39 poena dhe nuk e ngriti më shumë se 2. Të gjitha raportet janë publike dhe lehtë të verifikueshme dhe demantojnë çdo propagandë të kësaj Qeverie. LDK e vlerëson këtë Qeveri si; Qeveri e regresit, propagandës dhe e paaftësisë. LDK po ashtu beson se qytetarët tanë janë të vetëdijshëm të dallojnë propagandën ndaj të gjitha fakteve që po ofrojmë; fakte të publikuara nga institucionet ndërkombëtare e vendore që e demantojnë çdo mashtrim të kësaj Qeverie”, thuhet në komunikatë.

Back to top button