LDK: Sektori i shëndetësisë është në kolaps

Deputetët thonë se Ligji për Pagat ka shkaktuar pakënaqësi

Grupi i Parlamentar i LDK-së ka ngritur problemet në sektorin e shëndetësisë, të cilat sipas këtij grupi po kalojnë në heshtje dhe konsiderojnë se qeveria ka dështuar në këtë sektor, gjatë vitit që lamë pas.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, në një konferencë për medie, ka thënë se ligji për sigurime shëndetësore dhe ligji për shëndetësi, nuk janë ardhur në kuvend në vitin 2018. Ndërsa në vitin 2019 pritet të vijë vetëm ligji për shëndetësi dhe jo edhe ai për sigurime shëndetësorë.

“Ministri i Shëndetësisë shpesh herë del manipulon për projektet e përfunduara të cilat nuk përmend që ato janë nisur shumë më herët. Ka disa ndryshime kozmetike në Qendrën Emergjente”, ka thënë Avdyli.

Ndërsa për Ligjin për Paga, ai ka thënë se ka shfaqur pakënaqësi në sektorin e shëndetësisë.

“Kjo rritje e pagave qeveri dhe në administratën e SSHKUK për 100 përqind, ka shkaktuar indinjatë të thellë në këtë sektor, edhe me greva”, tha ai.

Naser Rugova, deputet nga LDK, ka thënë se manipulimet e opinionit nga një ministër i Facebook, është vërtetë e turpshme. Sipas Rugovës, sektori i shëndetësisë është në kolaps.

“Ministri i Shëndetësisë Uran Ismajli pati deklaruar se ka ndal korrupsionin milionësh, mirëpo pas kësaj gënjeshtre, ky ministër me stafin e tij ka nënshkruar kontratë 300 përqind më të shtrenjtë për blerje të barnave”, ka thënë Rugova.

Ai ka thënë se ata solidarizohen edhe me grevën e Shërbimit Korrektues.

Sindikalistët e Shërbimit Korrektues kanë mbajtur sot protestë, përmes së cilës kanë kërkuar që koeficienti i pagave të tyre të lëvizë nga 1.85 në 2.2. Kryetari i Sindikatës, Zenun Sadikaj ka thënë se duan që t’iu plotësohen të gjitha kërkesat e tyre, ndërkohë që ka kërkuar nga presidenti të mos e dekretojë Ligjin për Pagat.

Back to top button