LDK thotë se Buxheti mund të përfundojë në Kushtetuese

Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) është kundër projektbuxhetit 2023, madje kjo parti pret që ky projektligj të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë shqyrtimit në lexim të dytë Deputeti nga LDK, Avdullah Hoti tha se projektligji për buxhetin ka disa anomali substanciale dhe është anti kushtetues, duke iu referuar tërheqjes së disa mjeteve vetanake të komunës së Prishtinës.
Deputeti Hoti ka kritikuar po ashtu se në buxhetin 2023 nuk janë përfshirë premtimet e partisë në pushtet, në këtë rast Vetëvendosjes.
“Ajo që është kërkuar për këtë buxhet, është evidentim i premtimeve të juaja me I reflektuar në buxhet. As atë se keni bërë. Ne kemi pritë që gjatë dy leximeve t’ i reflektojmë disa anomali substanciale që i ka projektligji. Duke filluar nga e para, projektligji në nenin e caktuar është të pjesës tekstuale është qartë antikushtetues. I kemi dhënë argumentet tona në komision, ke e ka bërë një analizë zyra ligjore e kuvendit, ministri nuk ka dashur as me reflektuar. Madje, as nuk e ka mbrojtur që ky nuk është kundër kushtetues. Dhe sot kuvendi mund ta votojë një ligj që mund të përfundojë direkt në Gjykatën Kushtetuese. Sepse nuk është e mundur që të hyrat nga mjetet vetanake në Prishtinë nga tatimi në pronë që mblidhen në “Dardani” e “Ulpianë”, ato mjetet me i dërguar për një rrugë ta zëmë në Mitrovicë ose në Gjilan. Krejt argumentet janë kundër këtij neni, ndërsa qeveria nuk donë as me reflektuar as me dëgjuar. Kështu që s’ka si me ia dhënë mbështetjen një projektligji të tillë”, tha ai.
Ndaj ish-kryeministrit Hoti ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca. Kryetari i Kuvendit, kërkoi të mos ketë nguti, sepse siç tha ai mund të arrihen do kompromise të mira për këtë buxhet.
“Mund të arrihen do kompromise të mira për këtë buxhet me dashtë. Pse po nguteni bre? “Ngadalë, ngadalë, që ka thënë ai”, është shprehur Konjufca.
Hoti ka replikuar ndaj Konjufcës, ku tha se nuk bën të komentohen diskutimet e deputetëve.
“Besoj që është edhe detyra e juaja sot me i çuar këto përpara, e jo me I komentuar diskutimet e deputetëve”, tha ai.
Ish-ministri i Financave, Hoti ka kritikuar qeverinë edhe për ndarjen e mjeteve sipas tij jo të drejtë për projektet kapitale.
Në projektligjin për buxhet janë propozuar 97 amendamente. 10 prej tyre janë të Komisionit funksional, 82 janë të propozuara nga deputetët, por pa përkrahjen e Komisionit funksional dhe 5 amendamente të komisioneve tjera parlamentare.

Back to top button