Lehtësohet qarkullimi në rrugën Drenas–Komoran

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, bën të ditur se rruga Drenas–Komoran është lehtësuar për qarkullim, pasi niveli i ujit ka rënë dhe aktualisht është e kalueshme.

Lladrovci ka ftuar qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë shiritët për ndalim të qarkullimit në disa rrugë dhe pranë urave, duke theksuar se situata kërkon vëmendje të shtuar.

Ai ka falënderuar qytetarët për respektimin e urdhrave të organeve kompetente, si dhe të gjithë kontribuuesit për, siç është shprehur, “lehtësimin e gjendjes” gjatë vërshimeve që i ka cilësuar si të përmasave të mëdha në komunën e Drenasit.

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Komunës së Drenasit, duke sjellë rritje të nivelit të ujit dhe vështirësi në qarkullim në disa segmente rrugore. Ekipet komunale dhe shërbimet emergjente kanë qenë të angazhuara për të menaxhuar situatën, ndërsa qytetarët janë ftuar të respektojnë ndalesat e përkohshme të qarkullimit, sidomos në rrugët dhe urat që paraqesin rrezik.

Back to top button